Xhixho nga Kryesia e Kuvendit: Rritja e çmimeve ka dyfishuar koston e jetesës
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se, në vitin 2023 ekonomia e shqiptarëve u përkeqësua.
Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Xhixho tha se “mirëqenia e shqiptarëve nuk u rrit përgjatë vitit 2023 për shkak të një qeverie që mbushi arkën nga taksat më të larta në rajon, që rëndojnë fort mbi shpatullat e secilit shtetas, dhe për shkak të rritjes së çmimeve”.
Ajo iu referua të dhënave të Eurostat, të cilat nënvizoi Xhixho, “na renditën sërish të fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse”.
“Qeveria u tall me pensionistët me një bonus qesharak, ndërsa kategoritë në nevojë nuk u përfillën fare. Nuk pati asnjë paketë mbështetëse as gjatë vitit, ndërsa kriza e çmimeve rrënoi ekonominë familjare të mijëra shqiptarëve”, u shpreh Xhixho.
Sipas saj, “rritja e çmimeve e ka dyfishuar koston e jetesës, 31% e ekonomisë familjare shkon vetëm për ushqim”.
Gjithashtu, shtoi Xhixho, “mbetemi të fundit, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon për të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vetëm 34% e mesatares së Bashkimit Europian.
“Produktet e shportës janë rritur me 30-40%, frutat tashmë janë luks për shumë pensionistë e qytetarë, për të vazhduar me bulmetin, vajin e deri te fasulja”, theksoi ajo.
Xhixho theksoi se, “marrja e masave që lehtësojnë situatën ekonomike të shqiptarëve është emergjencë”.