Berisha sfidon Ramën: Të miratojmë rritjen e rrogave e pensioneve të enjten, e ka bllokuar me Alibashën
Ish-kryeministri, Sali Berisha, kërkoi që këtë të enjte të mblidhet parlamenti në mënyrë që të votohet ligji për rritjen e pagave dhe pensioneve. Nga selia blu, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se dha premtime boshe dhe kjo ishte arsyeja pse ai bllokoi parlamentin.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, kërkoi të enjten mbledhjen urgjente të Parlamentit, në mënyrë që të votohet ligji për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Duke theksuar më tej se është i gatshëm të japë votat për miratimin e ligjit, që do të jetë në të mirë të shqiptarëve.
Berisha shtoi se ishte vetë kryeministri Rama që dha premtimin dhe ishte po ky i fundit që bllokoi parlamentin pasi sipas tij premtimet ishin boshe.
Berisha: Jam zotuar që të mos merrem me fjalorin e tij koprolalik, por të merrem me problemet e mëdha që ky regjim u ka krijuar qytetarëve, të merrem me paraqitjen e alternativës tonë, këtë po bëjnë të gjithë kandidatët tanë. Kemi ftuar dhe ftojmë gjithnjë për ballafaqime televizive apo edhe në shesh për transparencë dhe në interesin më të madh të zgjedhësve shqiptarë. Por unë jam sot këtu për t’i shkurtuar këmbët mashtrimit të paskrupullt të tij me rrogat dhe pensionet. Edi Rama, për herë të parë pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë se ngrirja e rrogave dhe rritja e tmerrshme e çmimeve i zhyti shqiptarët në një varfëri të frikshme, që i detyrona të largohen masivisht nga Shqipëria, lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash. Ndër të tjera paraqiti në parlament një ligj ku parashikohej rritja e rrogës mesatare 900 euro.
E vërteta është se ligjin e bllokoi vetë në parlament me një marrëveshje të turpshme me Alibashën, mbylli parlamentin dhe këtë e bëri vetëm e vetëm pse ai premtim ishte një mashtrim. Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral.
Ndaj i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave, përgjigju ofertës sonë që nuk ka për synim bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të shqiptarëve, por ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve.
Edhe një herë, Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës dhe kandidatëve të Partisë Demokratike që të përballen në debat publik.