Lëvizja studentore, Berisha: Protesta e të rinjve është një zhvillim pozitiv për vendin!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një transmetimi live në takimin e organizuar nga Departamenti i Arsimit në PD, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e të rinjve në mbrojtje të mjedisit, duke e cilësuar atë si një kauzë të drejtë dhe një shembull të ndërgjegjësimit qytetar.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike e ka mbështetur fuqishëm protestën, pavarësisht se nuk ishte organizatore e saj, pasi sipas tij ajo lindi si reagim ndaj veprimeve të një qeverie që ai e konsideron pa legjitimitet dhe me prirje autoritare. Kreu demokrat u ndal edhe te zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, për të cilat tha se raportet ndërkombëtare i kanë përshkruar si procese të zhvilluara në kushtet e “partisë-shtet”.
Sipas Berishës, qeveria ka përdorur institucionet shtetërore për të shtypur pluralizmin politik dhe për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të fondeve publike në funksion të zgjedhjeve, si dhe për lidhje me elementë të krimit të organizuar.
Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi veçanërisht angazhimin e të rinjve për çështjet mjedisore, duke e konsideruar këtë si një zhvillim pozitiv për vendin. Ai tha se fakti që mijëra të rinj protestojnë për mbrojtjen e natyrës tregon se mjedisi po zë një vend qendror në ndërgjegjen e brezit të ri.
Duke folur për gjendjen e mjedisit në vend, lideri i opozitës hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e quajtur Ramën “një Neron të vërtetë për mjedisin”. Ai përmendi Parkun Kombëtar të Dajtit, Shebenikun dhe zonat pyjore të Leskovikut, ku sipas tij janë kryer dëmtime të rënda mjedisore për shkak të interesave të oligarkëve dhe abuzimeve me pasuritë natyrore.
Berisha theksoi se mbrojtja e mjedisit është një detyrim jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar, duke shtuar se Partia Demokratike ka respektuar gjithmonë standardet ligjore në këtë drejtim. Ai e mbylli fjalën duke bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe angazhim në mbrojtje të natyrës dhe vlerave demokratike.
Sali Berisha: Edhe një herë një përshëndetje shumë të përzemërt, shpreh kënaqësinë që u takoj.
Kërkova të takohem me ju në një moment shumë kritik, në një moment kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e qytetarëve dhe intelektualëve të saj.
Një lëvizje rinore qytetare, për arsye tashmë të njohura, brutalitetit të egër, zvarritjes sikur të ishte një bishë të një qytetari që protestonte në mënyrën më paqësore, rrethimit me tela me gjemba sikur të ishte një kamp përqendrimi të një komuniteti, në shkelje më flagrante të Kushtetutës, ligjeve të vendit, por dhe ligjeve ndërkombëtare që detyrojnë qeveritë të informojnë për çdo gjë dhe të diskutojnë për gjithçka zhvillohet me komunitetin përkatës, dhe Shqipëria është palë në këtë konventë, Konventa e Aarhusit, pra, në mbrojtje të një kolonie të mahnitshme zogjsh dhe të një habitati biodiversiteti të shumë të pasur, bëri që të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë të shpërthejnë në një protestë, e cila në përmasat e saj nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi.
Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme. I kalon, u them unë juve, të gjitha protestat e tjera.
Një protestë e drejtë, një protestë, e cila, po të marrim tre elementet e saj: të parin, brutalitetin ndaj qytetarit dhe shkelmimin e të drejtave të tij; brutalitetin ndaj komunitetit dhe rrethimin me tela me gjemba; dhe mungesën e plotë, 100%, të transparencës për një dosje, e cila kishte të bënte me një peizazh të mbrojtur të vendit tonë.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike vendosi të respektojë në radhë të parë plotësisht këtë protestë, të cilën nuk e kishte thirrur ajo, por ta mbështesë atë fuqimisht, sepse kauza e saj ishte një kauzë e drejtë.
Ishte një kauzë e drejtë për arsye se veprimet ishin veprime tipike të një regjimi autokratik, të një regjimi pa legjitimitet, regjim që nuk ka dalë nga vota e lirë, dhe është në meritën më të madhe e kësaj partie, e cila arriti, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, të vërtetojë se zgjedhjet, si të 14 majit, zgjedhjet lokale, dhe zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, ishin farsa elektorale.
U zhvilluan, siç përshkruajnë tashmë raportet ndërkombëtare, në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhje në kushtet e partisë-shtet janë zgjedhjet e regjimeve totalitare.
Ky nuk është një regjim totalitar, por ky është një regjim që shtyp pluralizmin, përdor institucionet për shtypjen e pluralizmit, dhe ky është dallimi midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare.
Për të fituar zgjedhjet, Edi Rama, njëlloj si Zajedi i Tunizisë, arrestoi dy liderët e partive kryesore opozitare, dhe të tretin e vuri në ndjekje penale në vitin elektoral. Mobilizoi miliarda e miliarda fonde publike për të ndikuar.
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve ai dha dhuratë për votë, 2 miliardë e 100 milionë euro gjoba dhe kamata.
Ai garantoi një listë prej 28 deputetësh me kartelin Troplini, kartelin Çela dhe kartele të tjera të drogës, organizata kriminale, saqë bëri të konkludojnë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian se në Shqipëri rrotacionin nuk e lejon krimi i organizuar.
Por çdo demokrat e demokrate duhet ta dijë, ta rikujtojë se kemi qëndruar me të gjithë potencialin tonë në një kohë kur askush s’ka qëndruar tjetër përveç nesh edhe për çështjet mjedisore.
Në qoftë se kjo protestë ka një mrekulli, ka një mrekulli të vërtetë edhe dimensionin e saj mjedisor. Kur sheh këta të rinj, këta dhjetëra mijëra të rinj që protestojnë për çështje mjedisi, çka do të thotë se në ndërgjegjen e tyre mjedisi, që është jeta në të vërtetë, ka një rol qendror, dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për vendin dhe për kombin.
E vërteta është se, në mënyrë absolute, në të gjitha rastet, ne kemi respektuar jo vetëm ligjin kombëtar, por dhe ligjin ndërkombëtar për mjedisin.
Çështja e mjedisit, sikundër të themi të vërtetën, dhe çështja e të drejtave të njeriut, dhe çështja e votës, janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare.
Edi Rama ka qenë një Neron i vërtetë për mjedisin. Shikoni pak 15-20 kilometra këtu në Parkun e Dajtit se si ia kanë shtruar malin... e kanë shtruar në gurore masive oligarkët e Edi Ramës. Dajti është park kombëtar. Një gur të vetëm nuk mund ta marrësh në përputhje me ligjet e vendit.
Por ligji për Ramën dhe oligarkët e tij nuk ekziston, se nuk mund të nxirrte gurë tjetërkund ai që i duheshin gurët, po duhet të zhvishte shpatin e Dajtit dhe ta shëmtonte atë në mënyrë të tillë.
Shikoni në Parkun e Shëngjergjit. Park kombëtar. Se si e ka bërë me druvarët e tij Taulant Balla. Hero i vërtetë një gazetar. Nuk e harroj që u shkonte mbrapa dhe që druvarët dhe mafia e druve e kërcënonin me jetë. Sepse kishin mbrojtjen dhe aksioner ishte Balla.
Shikoni në Parkun e Leskovikut se si u shndërruan pyje të tëra në qymyr druri.
Por mbi të gjitha u kafshua Parku i Butrintit. Nuk e di nëse e keni vizituar apo jo, por Butrinti është një nga mrekullitë më të mëdha jo vetëm arkeologjike, por arkeologjike dhe natyrore. Ai është një mrekulli e rrallë natyrore, në biodiversitetin e tij, në peizazhin e tij.
Dhe ju them juve, të dashur miq, absolutisht gjatë tetë viteve ndërhyrja e vetme ka qenë zgjerimi i rrugës për shkak të shtimit të fluksit të turistëve. Asnjë ndërhyrje tjetër. Ai ruhej i tërë.
Ajo është një mrekulli e papërsëritshme që duhet të kalojë e tillë nga gjenerata në gjeneratë. Duhet ta trashëgojnë shqiptarët që vijnë.
Erdhi, aktin e parë, ndau parkun natyror nga parku arkeologjik. Vetëm këtë donte Edi Rama.
E kundërshtuam me të gjitha forcat, e kundërshtuam në mënyrën më të fuqishme, kundërshtuam ligjin.
Partia Demokratike organizoi një seri tryezash shëtitëse. Kundërshtuam çdo gjë.
Çfarë doli mbrapa? Dolën ndërtimet e qeveritarëve tek Gjiri i Manastirit dhe një seri ndërhyrjesh të tjera në një park që çdo gjeneratë kishte detyrë kryesore mirëmbajtjen dhe përcjelljen tek gjenerata tjetër.
Dhe, në fakt, këtu probleme serioze u krijuan me modelet e vendosura inekzistente dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, sepse aty u krijua një bord ku shteti, përgjegjësi numër një i mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, pranoi pozicionin e minorancës.
Dhe imagjinoni ju tani, është anëtare e bordit një zonja Margariti, e cila tani mund të jetë emigrante në ndonjë vend tjetër dhe parku është në duart e të tjerëve vetëm e vetëm se Edi Rama donte patjetër të ndante pjesën urbanistike, pra të ndahej qyteti i Butrintit nga pjesa natyrore e parkut.



