Berisha: Përpara me Ramën do të thotë drejt shkatërrimit e asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore
Nga Gramshi, Sali Berisha tha se qeverisja socialiste kërkon që të zhbëjë familjen dhe gjininë, duke shtuar se po flitet për prindi 1 dhe 2.
Ai theksoi se ata e bëjnë këtë sepse duke deporsenalizuar, krijojnë njeriu pa personalitet dhe se me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore.
Berisha: Në shekuj e mijëvjeçarë ne na ka mbajtur familja. Pa diskutim, ajo ka qenë streha, votra e cila ka garantuar jetesën dhe mbijetesën tonë. Çfarë duan të bëjnë këta. Këta duan të shembin familjen dhe gjininë. Po, po. Këta po fusin në shkolla dhe kopshte, e kanë filluar në Tiranë gjerësisht, prindi 1 dhe prindi 2. Këta fillojnë dhe i pyesin fëmijët nëpër kopshte, çfarë gjinie preferon. Këta ecin me një platformë të degradimit të familjes shqiptare. Të degradimit të plotë të shoqërisë shqiptare. A ka normë morale që e pranon këtë në Shqipëri.
E pranon, e pranojnë ata. Pse e bëjnë këtë ata? Ata e bëjnë këtë sepse duke deporsenalizuar, se natyrisht nëna ka shenjtërinë e saj, babai ka autoritetin e tij, natyrisht gjinia është ndarë që nga Eva dhe Adami, etj., me radhë. Por duke i fshirë këta, krijojnë njeriun e pa personalitet. Njeriun që nuk di se kush është. A mund të vazhdojmë ne kështu, a duhet të ndalojmë ne këtë agresion të tmerrshëm që bëhet ndaj familjes dhe vlerave të saj. Përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore. Ndaj dhe në 14 maj, votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart tuaja dhe ne jemi të sigurt se së bashku fitojmë.