Berisha në Shijak: 14 maji, ditë e madhe në histori. Me votë kemi mundësi të rikthejmë pluralizmin
Lideri historik i demokratëve Sali Berisha prezantoi këtë pasdite kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Shijakut Rezart Tusha në zgjedhjet evdnore të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se 14 maji është një ditë e madhe në histori. Me votën tonë, tha ai, ne kemi mundësi të rikthejmë pluralizmin.
“Sot Shqipëria kalon ndër momentet më të vështira të ekzistencës së saj, në kuptimin që në 8 vite nga Shijaku janë larguar më shumë se 1/3 e banorëve, pavarësisht se Shijaku është një tokë e bekuar, një truall i bekuar, një truall me pasuri. Toka e Shijakut po të përdorim një term të vjetër, është një Misir i vërtetë. Kodrat e tij janë fantastike, ujërat e tij.
Çdo gjë e këtij rrethi ngjan me një parajsë tokësore. Megjithatë djemtë dhe vajzat e Shijakut, banorët e Shijakut, largohen, largohen dhe vetëm largohen nga Shijaku. Çfarë ka ndodhur, pse kjo braktisje e Shijakut dhe e Shqipërisë sot më e madhe se në çdo kohë, luftë, pushtim.
Kjo është e vërteta.
33-35% e shqiptarëve kanë ikur në 8 vite. As gjysma në përqindje në Ukrainë nuk kanë ikur pavarësisht nga lufta e tmerrshme dhe agresioni barbar i rusëve. Sot ne kemi një pushtim, ku qëndron, cili është ky pushtim. Ky pushtim është të gjitha pushtet e në dorë të një njeriu, cinik, hajdut dhe të pashpirt.
Ju, banorët e Shijakut, por edhe shqiptarët tani kanë parimet e lirisë dhe demokracisë. Dhe kjo që ndodh, kjo dramë kombëtare që kalojmë, ky gjenocid i vërtetë që ushtrohet ndaj shqiptarëve, duke krijuar kushte për largimin nga vendi i tyre, ka si emërues të përbashkët, shkak të të gjitha shkaqeve, pushtetin në duart e një njeriu, i cili njëherë u thotë se do të bëhem sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kaq i vyer jam.
Njëherë tjetër u thotë se, jemi bërë shembull botëror. Herën e tretë qarkon nga takimi në takim, me zorrën qorre në gojë. Dhe në mos edhe me zorrë të tjera. Pra një njeri që mendon dhe beson se me pushtet e tij mund të bëjë çtë dojë, mund të ju thotë ç’të dojë, mund të bëjë natën, mund të bëjë ditën dhe të marrë çdo vendim që të dojë për qytetarët shqiptarë.
Ndaj dhe këto zgjedhje më 14 maj janë jetike, jo vetëm për vendosjen e një njeriu të ndershëm, të përkushtuar, një menaxheri të shkëlqyer që do të përdorë çdo qindarkë tuaj me transparencë më të madhe, që do të ndryshojë Shijakun, por janë jetike për të rikthyer pluralizmin në Shqipërisë. Sepse Rezearti, sepse kandidatët primareve, kandidatët e qytetatëve, në Shijak, Durrës, Kavajë, Tiranë dhe kudo, do ti japin fund pushtetit të tij monist, do ti japin fund pushtetit të një njeriu dhe çdo qytetar duhet ta ketë të qartë se 14 maji është një ditë e madhe në histori. Se zgjedhjet e 14 majit janë e jetës tonë. Me votën tonë ne kemi mundësi të rikthejmë pluralizmin. Kemi mundësi ti vemi kufirin ku e meriton një despoti që nuk njeh asnjë ligj, asnjë moral, asnjë rregull dhe kjo ka një rëndësi vendimtare.
Të dashur qytetare e qytetarë, banorë të Shijakut.
Së pari dua të përulem me mirënjohjen më të thellë, me nderimin më të madh, para burrave e grave, të rinjve dhe të rejave të kësaj bashkie, të cilët kanë qenë që në fillim një bastion i pamposhtur i demokracisë në Shqipërisë.
Shkodra, Kavaja, Shijaku ishin ndër bastionet më të para. Po të vështrosh popullatën e këtyre zonave, gjen në këto zona, muslimanë të përkushtuar, katolik të përkushtuar, ortodoks të përkushtuar. Por të gjithë të bashkuar në vlerën më eprore, në besimin tek Zoti dhe ky besim, kjo sakrificë bëri që ata të ishin ndër më të parët e të parëve, të mbështesnin demokracinë, sistemin e vlerave, lirinë.
Në këtë kontekst unë u mbetem përjetë mirënjohës ndaj jush.
Miqtë e mi!
Sot në Shijak dhe në Shqipëri, përballen dy përpjekje, dy filozofi, dy rryma. Përballet përpjekja e idealistëve të vërtetë, e atyre që i besojnë lirisë, vlerave të saj, e atyre që besojnë se dinjiteti njerëzor është thelbi i njeriut të lirë, me një sekt i cili trajton qytetarët shqiptarë si qenie inferiore. Trajton qytetarët shqiptar në mënyrën më të padenjë, trajton qytetarët shqiptarë si qenie për ti vjedhur, çdo orë, çdo ditë e më shumë.
Ky sekt i rilindjes paraqet para jush kandidat të stazhionuar në vjedhjen e qytetarëve, në vjedhjen e taksave të qytetarëve, në injorimin e plotë të problematikave të tyre. Sot kandidatët e sektit të rilindjes dalin që të gjithë nga bodrumi i Edi Ramës. Emërohen pa përpjashtim mbi bazën e valixheve me euro, që i dorëzohen atij dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe që në fakt në çdo cent ua kanë vjedhur qytetarëve të bashkive të vendit.
Sot përfaqësues të Edi Ramës, janë një grup mafiozësh lokalë, të cilët me qëndrimet e tyre, me vjedhjet e tyre, të taksave, të burimeve natyrore lanë në vend numëro zhvillimin. Ndaluam zhvillimin dhe faktikisht kudo që shkon, gjen përveç qendrave të qytetit, të cilat ai i përdori si pika e mjaltit për të vjedhur sa më shumë.
Ju duhet ta dini se ato qendra të rilindjes urbane kanë kushtuar 2.3 miliardë euro. Ato pllaka që shifni në qendra, kanë kushtuar si të ishin pllaka me gurë të çmuar dhe jo rrasa guri të nxjerra kudo në malet e Shqipërisë.
Kandidatët tanë janë kandidatët që mishërojnë vlerat tuaja më të mira. Janë kandidatë që burojnë nga ju, kanë ardhur nga ju, me standardin më të mirë të demokracisë, me votën tuaj.
Unë mendoj se me këtë proces ne para së gjithash kemi vendosur në piedestal dinjitetin e qytetarëve sepse do të jenë ata që të përcaktojnë se kush do i qeverisë. Cili do ti drejtojë, cili do të jetë kryetari i bashkisë së tyre, deputet i tyre. Dhe në këtë mënyrë ne bëjmë që përfaqësuesit tuaj të mos varen nga kryetari, nga kryesia, por të varen nga qytetari, nga qytetaria dhe komuniteti që i ka besuar ata.”, deklaroi Berisha.