Berisha dhe Meta ftojnë qytetarët/ Nesër protestë para Kuvendit për Ramën dhe në 3 mars tubim kombëtar

Një ditë para seancës parlamentare, kryetari i PD-së Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar ku kërkoi aksion si brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit.

"Siç zhvilluam të hënën që kaloi një betejë të shkëlqyer brenda dhe jashtë parlamentit, u bëj thirrje cilitdo që ka minimumin e mundësive të lërë çdo gjë dhe të vijë nesër në orën 10 në protestë."

Një tjetër thirrje ai kishte edhe për tubimin kombëtar që do të zhvillohet para kryeministrisë në datën 3, por shtoi se ky reagim nuk ka të bëjë me vendimin që do të marrë gjykata për çështjen e vulës.

"Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën dhe as institucionet e tjera."

Madje edhe përjashtimin e deputetëvë nga seanca, Berisha e konsideroi të qëllimshme.

"Nesër Edi Rama pas një muaji vendos të shkojë në sallën e parlamentit, por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë."

Në të njëjtin qëndrim ishte dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili shprehu mbështetjen jo vetëm për 3 marsin por edhe për pedagogët që kërkojnë rritje pagash.

"Çështja e PD nuk është çështje e demokratëve, është çështje e vetë demokracisë."

Seanca e Kuvendit është parashikuar të zhvillohet të enjten në orën 10, ku socialistët do të kërkojnë të miratojnë 6 projektligjet në rend të ditës si dhe raportin përmes të cilëve PS kërkon të rrëzojë kërkesën për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit.

protesta e opozites

EMISIONET