Berisha: Analizën për farsën zgjedhore e kemi detyrim absolut, më pas do ndërmarrim protestat e fuqishme

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se zgjedhjet në bashkinë e Elbasanit janë një nga farsat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve.

Ai theksoi se videot dëshmojnë se në mbi 70 përqind të qendrave të votimit, të ashtuquajturit operatorë, shkelën ligjin nga mëngjesi deri në darkë.

"Unë e di se për gazetarët dhe mediat, e njëjta temë nuk është kurrë interesante dhe e preferueshme, por kur ajo është një çështje themelore e shoqërisë, nuk mund t’i kthesh kurrë krahët dhe ta injorosh, sepse bëhesh bashkëfajtor në një krim të paparë elektoral. Jam këtu për t’u njoftuar ju, se zgjedhjet në Bashkinë e Elbasanit janë një nga farsat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve. Videot dëshmojnë se në mbi 70 përqind të qendrave të votimit, të ashtuquajturit operatorë, shkelën ligjin nga mëngjesi deri në darkë. Ligji përcakton qëndrimin e tyre, distancën në të cilën ata qëndrojnë nga aparatura e votimit dhe këta militantë të PS-së, të përzgjedhur me kujdes, anëtarë të FRESSH, të trajnuar në sipërmarrjen e peshkut të Lucës, dhe të trajtuar nga Luca, janë treguar shkelës të ligjit, kriminelë elektoralë pothuaj në të gjitha qendrat e votimit", tha Berisha.

Berisha deklaroi se anetarewi i KAS-it Ilir Rusmali është kriminel elektoral, ka urrejtje sepse është shkarkuar për korrupsion.

"Në një seancë që ka vazhduar gjer në 6 të pasdites, provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur përpara KAS-it, i cili siç del, kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral. Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare, të marrë nga kamerat e qendrave të votimit, faktohet se është zhvilluar në shkelje flagrante të ligjit dhe të fshehtësisë së votës, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit. Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral. Ju i keni ndjekur ndoshta dje, nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi, gjatë gjithë ditës, operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësve. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar", deklaroi Berisha.

Po ashtu Berisha theksoi se do kërkohet sërish hetim parlamentar për aferën McGonigal pasi ka zhvillime dramatike, tha ai.

"Dua t’u informoj se përveç komisionit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ne do riformulojmë dhe dorëzojmë në parlament, komisionin për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri.
Siç e keni marrë vesh, ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari. Gjer para 3 javësh, ish-tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, gjykohej për dy çështje kryesore veças. Për çështjen Deripaska dhe lidhjen ruse, për çështjen Rama dhe lidhjen shqiptare. Njëra çështje gjykohej në Nju Jork, çështja tjetër gjykohej në Uashington. Çështja shqiptare kishte të bënte me ryshfet. Çështja tjetër kishte të bënte me probleme të tjera.
Ryshfet me të cilin Edi Rama kishte angazhuar kryezbuluesin e FBI kundër opozitës, ndërkohë që ishte në detyrë. Natyrisht, Edi Rama ka imunitet diplomatik, por çështja e tij nuk mbyllet kurrë.
Le të aktivizojë ai të gjithë miqtë e tij, me Alex e me George, ai nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane. Por zhvillimi dramatik i para tre javëve është shumë thelbësor. Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, çka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti. Ne do bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë për hetimin e të gjithë personave të lidhur me aferën McGonigal, në Shqipëri dhe jashtë saj, me mundësitë që kemi", u shpreh Sali Berisha.

Berisha theksoi se analizën për farsën zgjedhore e kemi detyrim absolut, më pas do ndërmarrim protestat e fuqishme

"Analiza në PD nuk ka filluar sepse siç po konstatoni, ne jemi çdo ditë në analizë të procesit elektoral. Jo çdo gjë është në duart tona. Nuk është në duart tona, materialet që na duhen, janë në duart e institucioneve të shkatërrimit të zgjedhjeve, janë në duar të afateve të gjykatave. Janë një seri procesesh që kërkojnë durim dhe kohë. Por ne do i shkojmë gjer në fund. Ne sot ju informuam se kemi paraqitur me video se si në Elbasan, në të paktën 70 përqind të qendrave, operatori ka shkatërruar votimin. Me video. Ky është rezultati kur e bën komisionin 7 me 0, kur voton fëmija 10 vjeç. Me të mbaruar kjo analizë që e kemi detyrim absolut, përndryshe ne bëhemi bashkëfajtorë në farsën elektorale, ne legjitimojmë farsën elektorale. Ne nuk e bëjmë kurrë, nuk pajtohemi. Në mbyllje të kësaj, do jetë analiza. Me kaq seriozitet do bëjmë edhe analizën në PD dhe do ndërmarrim protestat e fuqishme për rikthimin e votës së lirë", theksoi Sali Berisha.

EMISIONET