Bejko "harron" kritikat ndaj qeverisë: Çdo votë për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, i jep peshë Metës

Bejko "harron" kritikat ndaj qeverisë: Çdo votë

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko ka publikuar sot programin për zgjedhjet e 14 majit.

Në një konferencë për mediet, Bejko tha se programi do të prezantohet më 18 prill në pallatin e sportit “Farie Hoti” në çeljen e fushatës për bashkinë e Tiranës.

“Fokusi jonë do të jetë te shumica e qytetarëve shqiptarë të cilët sipas sondazheve kanë refuzuar klasën aktuale politike, të asaj që e quajmë oligarkia politike që përbëhet nga treshja, Rama-Berisha-Meta. Kjo politikë i ka futur kthetra thellë në kurrizin e Tiranës, të pronave publike dhe të jetës së qytetarëve dhe duke i marrë ato peng dhe duke qenë ata komanduesit e gjithçka je që ndodh këtu, qoftë në biznes, art e kulturë, qoftë në përditshmërinë këtu në Tiranë. Prandaj qëllimi ynë është të çlirojmë Tiranën, ta çlirojmë nga kthetrat e grabitqarëve të cilët ditën bëjnë sikur zihen për politikë, për parime dhe demokraci dhe natën ndajnë llokmat”, deklaroi ai.

Bejko tha se një pjesë e demokratëve kanë shkuar pas zoti Berisha dhe janë strehuar në ombrellën politike të Ilir Metës.

“Çdo votë që shkon për listën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” është një votë që i jep peshë politikës së Partisë së Ilir Metës, Partisë së Lirisë ose ish-LSI. Prandaj i ftoj demokratët të jenë racionalë, të votojnë Partinë Demokratike. Të shpëtojmë Partinë Demokratike nga asimilimi që ka dashur prej kohësh ‘trekëndëshi i Bermudës’”, tha ai.

Po ashtu, kandidati i PD-së për bashkinë Tiranë, Roland Bejko ka treguar se si lindi slogani “Frymëmarrje për Shqipërinë”, që nisi nga kryeqyteti ku qytetarët ankohen se iu është zënë fryma nga ndërtimet, taksat e trafiku.

EMISIONET