Balliu: Skandal me sigurinë kombëtare, ja si u përdor Kuvendi për të emëruar njeriun e besuar në krye të Gardës
Nga Kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu deklaroi se i gjithë procesi legjislativ në vend po përdoret për të shërbyer interesat personale të Kryeministrit Edi Rama. Në qendër të akuzave të Balliut ndodhet Garda e Republikës, një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare.
Sipas Balliut, ndërkohë që punonjësit e Gardës përballen prej vitesh me paga të ulëta, mungesë mbështetjeje dhe kushte të vështira pune që i detyrojnë të bëjnë një punë të dytë për të mbajtur familjet, qeveria ka injoruar totalisht këto problematika jetësore.
Në vend të përmirësimit të kushteve të tyre, mazhoranca ka zgjedhur të ndryshojë ligjin, duke hequr kriteret e vendosura po prej saj më parë, me të vetmin qëllim: t'i hapë rrugë emërimit të personit të dëshiruar drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë.
Ky veprim është cilësuar nga Balliu si një precedent i rrezikshëm dhe një degradim total i shtetit ligjor.
Ai theksoi se institucionet e pavarura po trajtohen si pronë private e pushtetit, ndërsa siguria kombëtare është vënë haptazi në funksion të interesave të ngushta.
Situata është përshkruar nga ligjvënësi demokrat si një rrezik thelbësor për demokracinë, duke theksuar se qeveria aktuale ka humbur çdo kufi.

