Balla zbardh debatet në Kryesi: nuk njeh as protestuesit, as opozitën, për UÇK-në thotë se nuk bën komente

Gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lëshoi akuza të forta ndaj opozitës lidhur me kërkesën për mocion me debat mbi protestat qytetare. Sipas deklaratës, shumica socialiste refuzon në mënyrë kategorike të njohë Partinë Demokratike të Sali Berishës si përfaqësuese legjitime të protestuesve që ndodhen në shesh.

Gjatë fjalës së tij, Balla zbuloi detaje nga mbledhja, duke theksuar se kërkesat e dorëzuara nga opozita ishin manipuluar për t'u shërbyer interesave të tyre politike. Nga pesë pikat e pretenduara, u bë e ditur se vetëm e para, ajo për dorëheqjen e qeverisë, përputhej me kërkesat e qytetarëve, ndërsa të tjerat cilësoheshin thjesht si halle të vetë opozitës. Për më tepër, u argumentua se thelbi i kërkesave qytetare për ndryshime kushtetuese apo qeveri teknike nuk figuronte gjëkundi në dokumentin e paraqitur nga deputetët demokratë.

Lidhur me thirrjen për dorëheqjen e qeverisë, mazhoranca e sfidoi hapur opozitën të përdorë mekanizmat kushtetues në vend që të kërkojë mocione me debat jashtë rregullores. U sugjerua mbledhja e 28 firmave të deputetëve për një mocion mosbesimi, i cili duhet të shoqërohet detyrimisht me prezantimin e një kandidati alternativ për postin e Kryeministrit.

I pyetur mbi propozimin e opozitës për kufizimin e mandateve të kryeministrit në ligjin themeltar të shtetit, u sqarua se një nismë e tillë bie ndesh me parimet e një republike të pastër parlamentare. Duke marrë si shembull modelin gjerman, u theksua se në sistemet e konsoliduara demokratike, kufizimin e mandateve nuk e bën kushtetuta, por vullneti i qytetarëve përmes votës.

Në përfundim, u adresua edhe çështja e reagimeve nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Balla shmangu polemikat e drejtpërdrejta, duke kërkuar sqarime të mëtejshme rreth dokumenteve të publikuara, ndërsa ritheksoi mbështetjen e tij të plotë dhe vlerësimin maksimal për kontributin e veteranëve të UÇK-së dhe drejtuesve të saj.

T'i marrim me radhë. Por dhe që është kryefjala e përgjigjes time në Konferencë të Kryetarëve dhe këtu përmes jush me publikun. I kam pyetur përfaqësuesit e opozitës në Konferencë të Kryetarëve: me çfarë mandati keni ardhur ju si zëdhënës të protestës? Nuk mora një përgjigje. Dhe pastaj i kam thënë që nuk ju njoh fare për përfaqësues të protestës. Pra, pranoj çdo kënd tjetër të flasin në emër të protestës, por Partinë e Sali Berishës nuk e pranoj dot kurrë si përfaqësuese të protestës. I kam bërë me dije dhe i kam vënë në dukje se janë aq të paaftë saqë kanë transformuar dhe kërkesat e protestuesve, të paktën nga ato që janë bërë publike. Pavarësisht se nga kush, një person me lidhje të ngushta me Iranin, por ky është diskutim tjetër. Po t'i merrje kërkesat që kishte sjellë opozita dhe si lexim i kërkesave të protestës... vetëm numri ishte i njëjtë: pesë. Dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte e njëjtë: dorëheqja e qeverisë. Pastaj opozita në emër të protestuesve kishte sjellë nja katër halle të vetat. Ndërkohë që protestuesit kanë thënë ndryshime kushtetuese, ku përfshihet kodi zgjedhor, qeveri teknike... jo këto s'i kishin fare. Dhe në këtë këndvështrim dhe mbi bazën e këtij argumenti, unë dhe kolegët e mi anëtarë të Konferencës së Kryetarëve ja kemi bërë shumë qartë që nuk e njohim Partinë e Sali Berishës si parti përfaqësuese e protestës. Dhe meqenëse tanimë komunikimi bëhet publik edhe me ata që pretendojnë që janë organizatorë të protestës, kushdo qofshin ata (se ende nuk dihet se kush janë), po kushdo qofshin ata, edhe meqenëse kanë pasdite radhën e tyre për të folur, t'i përgjigjen dhe kësaj çështje: A ka mandat Partia e Sali Berishës t'i përfaqësojë?

DEKLARATA

Balla zbardh debatet në Kryesi: nuk njeh as protestuesit, as opozitën,

Protestuesit nuk i njihni, njeri thoni është agjent i Iranit, tjetri është agjent i Greqisë. Kë njihni ju zoti Balla përveç Partisë Socialiste dhe grupit tuaj parlamentar?

Balla: Atëherë, po ta ripërsëris. Partinë e Sali Berishës nuk e pranoj për përfaqësuese. Ndërkohë që sapo nga protestuesit, meqë e doni kështu, të mbërrijë në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë me shkrim, do t'i kthejmë përgjigje atyre.

Zoti Balla, në lidhje me kërkesat e protestuesve dhe mocionin e kërkuar nga Partia Demokratike. Partia Demokratike në mocionin e saj, të paktën në atë që kemi lexuar ne, nuk pretendon në asnjë moment që është përfaqësuese e protestave, por është e pamohueshme fakti që në Tiranë dhe në Shqipëri po ndodh një protestë, po ndodh një ngjarje. Dhe opozita parlamentare e ka jo vetëm të drejtë, por besoj edhe detyrë të ngrejë shqetësimet e qytetarëve në parlament. Pse nuk e shikoni në këtë këndvështrim, pasi unë nuk e di nëse aty janë paraqitur si përfaqësues të protestës apo jo?

Balla: Edhe një herë po jua them, që mënyra se si ishte formuluar kërkesa, ishte që Partia e Sali Berishës vinte në Kuvend për të kërkuar në emër të protestuesve: një, dy, tre, katër, pesë. Unë jam aq serioz në vlerësimin e kërkesave (jo për shkak të partisë së Saliut, por jam serioz për ata që janë në shesh) dhe i mora me radhë. Tha: në emër të protestuesve Partia e Sali Berishës tha që duam dorëheqjen e qeverisë. Ishte pika e parë. Dhe i kam thënë: ju keni marrë përsipër të sillni në Kuvend kërkesën e protestuesve sipas jush, që ju paskan mandatuar ju, që të kërkoni dorëheqjen e qeverisë. Nuk kërkohet me mocion me debat! Kërkohet me mocion mosbesimi. Mblidhni 1/5, i bie 28 deputetë... i bëjnë, deri këtu shkojnë në fakt, se më thellë se kaq nuk shkojnë dot... 28 firma mblidhni, sillni kërkesën për mocion mosbesimi. E dini që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kur kërkon mocion mosbesimi duhet të sjellësh edhe kandidatin për kryeministër. E sillni dot Saliun për kandidat për kryeministër? Po pra, atëherë silleni! Instrumentin e keni, kushtetutën e keni, mblidhni 28 firma, vini dhe kandidatin, keni Këlliçin edhe një pjesë tjetër, edhe hajde ta marrim shqyrtim! Por nuk mund të ngatërrosh, të shkosh në një mocion me debat të kërkosh dorëheqjen e qeverisë. Kjo është në një tjetër rregullore. Dhe ne atë nen që nuk është herezi ta diskutojmë... kemi kaq vite në pushtet, kjo opozitë kurrë nuk ka ardhur ndonjëherë me mocion mosbesimi, të vijë!

Zoti Balla, një pyetje. Ju thoni që nuk pranoni të diskutoni me Partinë e Sali Berishës kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, ndërkohë po me të njëjtën parti, Partinë e Sali Berishës, diskutoni dhe miratoni jo vetëm ligje të ndryshme por edhe reforma të ndryshme. Pse kjo e para, pra pse pranoni që të miratoni reforma me Partinë e Sali Berishës dhe jo të diskutoni shqetësimin e qytetarëve? Dhe pyetja e dytë është: protestuesit, ose qytetarët më saktë, kanë disa kërkesa. Ju dukshëm nuk e pranoni kërkesën e parë, edhe kryeministri e ka bërë të qartë që është një pikë që nuk pranohet, por ato kanë dhe pika të tjera. Për shembull: kërkojnë kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës së një politikani. Ju a jeni të gatshëm ta pranoni si Parti Socialiste?

Balla: Tani, t'i marrim me radhë se ke bërë dy pyetje. Thoni pse me Partinë e Sali Berishës nuk e pranoni si zëdhënëse përfaqësuese të protestës... po e ripërsëris, nuk e qas fare Partinë e Sali Berishës si zëdhënëse përfaqësuese të diskutoj për çështje që lidhen me protestën. Asnjë fare! Sepse kjo parti të paktën për këtë protestë është e vetmja në vend, dhe të vetmit në vend, që nuk duhet të flasin. Ditën e parë, ditën e dytë, ditën e tretë kanë qenë kundër protestës. Kanë thënë që këtë protestë e bën Edi Rama... është fakt ky. Dhe tjetra, që është më e rëndë se kaq, është që kjo parti është një parti që një Zot e di si ka përfunduar në këtë derexhe. Që i thotë protestuesve mos ja përmendni emrin kryetarit tonë dhe pastaj dërgon njerëzit në protestë. Kështu që në këtë këndvështrim logjik, qasja ime dhe e kolegëve të mi në Konferencë të Kryetarëve ka një dimension etik, ka dhe një dimension politik. Qoftë në aspektin etik, qoftë në atë politik, nuk e qas Sali Berishën si përfaqësues të protestës. E pyetja tjetër ishte e kufizimit të mandateve. Libri themelor i Republikës së Shqipërisë është një libër i cili është ligji më i rëndësishëm në vend, është i qartë në këtë pikë. Ne jemi një vend që mund të quhemi republikë e re në kuptimin e viteve që kemi me kushtetutën. E dini që unë jam gjithmonë partizan i faktit që kemi marrë modelin më të mirë të një republike të pastër parlamentare (modeli më i mirë gjerman). As në Gjermaninë që njoh unë, dhe as në asnjë nga republikat parlamentare që njoh unë të konsoliduara nuk ka kufizim mandatesh, sepse në demokraci, në republika parlamentare, kufizimin e mandateve ta bën vetëm vota e popullit. Nuk ta bëjnë rregullat në kushtetutë!

Keni një deklaratë ditën e sotme, a jeni ju në komunikim me OVL UÇK, cili është komunikimi juaj me Hysni Gucatin, meqë i thatë këto për të shpërfillur atë deklaratë të organizatës së veteranëve?

Balla: E para është që nuk ka ndokush në Kosovë e në Shqipëri që nuk e di qasjen time dhe mbështetjen time për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dokumenti që ju i referoheni është një dokument i cili duhet sqaruar nga ata. Sepse ata kanë të vetmin tagër të vërtetojnë cili është personi, mund të jenë persona të ndryshëm. Kështu që unë nuk bëj komente mbi komente dhe e kam pranuar organizatën e veteranëve të UÇK-së si përfaqësues... Për të qenë korrekt, Hysni Gucatin e kam pasur shpesh herë në zyrë, kam një vlerësim maksimal për të dhe fjalën e tij nuk e vë në dyshim asnjëherë.

EMISIONET