Andia Ulliri "braktis" Gazment Bardhin. Basha mbledh drejtuesit e Durrësit: Do t’u japim shqiptarëve një …
Kryetari i sapozgjedhur i Partsië Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me drejtues politikë të qarkut të Durrësit.
Lajmin për mediat e ka bërë të ditur vetë Basha, ku me anë të një postimi në Facebook, tha se ka nisur puna për riorganizimin e PD-së.
Sakaq, Basha theksoi se ndër prioritetet e tij si drejtues i PD-së janë modernizimi, hapja dhe përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave, është prioritet e tij dhe drejtuesve të PD-së, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë.
“Me drejtuesit politikë të Qarkut të Durrësit nisëm punën për riorganizimin e Partisë Demokratike. Modernizimi, hapja, përfshirja e sa më shumë të rinjve dhe të rejave, e intelektualëve dhe specialistëve të ndershëm, janë prioriteti ynë për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë që reflekton ambiciet e tyre për një ndryshim të vërtetë”, shkroi ai bashkangjitur me disa foto nga takimi.
Në takimin e parë të Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike me strukturat në rrethe duket se tanimë ka nisur edhe afrimi pranë tij i deputetëve që deri më tani janë njohur si anëtarë të grupimit të Bardhit në PD.
Në Durrës, krah Bashës ishte të henën edhe deputetja e Krujës Andia Ulliri, e cila në vazhdimësi ka mbështetur vendimet e Grupit Parlamentar.
Andia Ulliri është deputetja e 9-të që afrohet me Lulzim Bashën pas qëndrimeve hapur “pro” tij nga Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Merita Bakiu, Flutura Açka, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj dhe Selaudin Jakupllari.
E kontaktuar nga “Ora News” deri në këtë moment Andia Ulliri nuk ka pranuar që të përgjigjet nëse “E njeh Lulzim Bashën si kryetar të PD?”
Grupi Parlamentar i PD në një deklaratë të pak ditëve më parë, ka thënë se zgjedhjet në PD janë anti-statutore dhe të paligjshme.