Amnistia “me halle”, Manja i drejtohet Gogut: A vlen tani pas 6 muajsh data 31 dhjetor 2025, apo...?

Një ngërç ligjor po mban peng lirinë e shumë të dënuarve që prisnin të përfitonin nga ligji i amnistisë. Gjatë diskutimeve tw draftit në komisionet parlamentare, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja zbuloi se që nga amnistia e vitit 2024, zbatimi i saj ka sjellë kaos në praktikë për shkak të interpretimeve të ngushta nga prokuroritë dhe gjykatat.

Problemi thelbësor qëndron tek mungesa e një qëndrimi të unifikuar se çfarë konsiderohet saktësisht një "vendim i formës së prerë". Shumë të dënuar i janë drejtuar dyerve të gjykatave pasi lirimi i tyre është bllokuar thjesht sepse vendimet nuk ishin zbardhur ende.

Ky proces burokratik krijon një hendek të madh kohor mes momentit të dhënies së vendimit nga trupa gjykuese dhe zbardhjes së tij në letër, duke lënë njerëzit në burg pa të drejtë. Tanimë kërkohet urgjentisht që projektligji i ri të saktësojë nëse kategoria përfituese do të bazohet tek data e shpalljes së vendimit, apo tek data e zbardhjes së tij.

Sikur të mos mjaftonte kaosi i interpretimeve, një tjetër problematikë e ngritur nga Manja ka dalë në dritë lidhur me afatet e ligjit të ri. Drafti i amnistisë mbulon të dënuarit që kanë marrë vendim të formës së prerë deri më 31 dhjetor 2025. Megjithatë, ky dokument ka mbetur i bllokuar në sirtarët e Kuvendit që prej shkurtit të vitit 2026, duke pritur plot katër muaj për të nisur shqyrtimin. Me votimin e planifikuar në mesin e qershorit dhe kohën e nevojshme për hyrjen në fuqi, afati i dhjetorit 2025 rrezikon të penalizojë me mijëra persona. Pritet të shihet nëse Ministria e Drejtësisë dhe komisionet përkatëse do të ndryshojnë këtë datë për të kompensuar vonesat parlamentare, apo nëse të dënuarit do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e burokracisë.

Pergjigjet Toni Gogu: "Faleminderit kryetar. Të dyja pyetjet janë, unë çmoj që janë me vend dhe nevojitet një adresim. Për sa i përket pyetjes së parë, le të themi zbatimit në mënyrë të ndryshme të vendimit të gjykatës. Unë besoj që interpretimi që ju bëtë, i cili ose raportimi që ju bëtë, që vjen nga praktika e krijuar është i saktë dhe ka nevojë për një saktësim.

Ne, projektligji përdor të njëjtin term që ka kodi dhe përdor termin i dënuar, pra data e dënimit. Dhe këtu ka lindur dhe keqkuptimi për të bërë zbatime të ndryshme.

Meqenëse vonesa ndodh për shkak të sistemit, pra nga data e dhënies së vendimit te data e zbardhjes, duke ditur të gjitha problematikat që ne po kalojmë me efiçencën e sistemit për shkak të vakancave që janë krijuar nga procesi i vetingut dhe shumë efekte të tjera të padëshiruara që kanë ardhur nga realiteti i ri në sistemin e drejtësisë, besoj që është e domosdoshme një saktësim.

Dhe ndryshimi i pikës referuese në fakt të shkojë me dhënien e vendimit, për shkak se nuk ka arsye i dënuari që të vuajë për një vonesë që nuk e ka shkaktuar ai dhe nuk ka lidhje me veprën e tij. Kështu që unë besoj që juve keni të gjithë kompetencën, diskrecionin, që nëse do të nevojitet ky saktësim, domethënë dhe ne çmojmë që mirë është të saktësohet, që të paktën... pra projekti ka ardhur me përkufizime dhe me formulimet e kodit.

Por meqenëse praktika ka krijuar këto, po themi, standarde të dyfishta, pra dy standarde, unë besoj që një saktësim vlen shumë për zbatimin uniform të ligjit. Për sa i përket pyetjes së dytë, për datën, 31 dhjetori është zgjedhur si një datë e qartë, si një datë që... një kufi objektiv në atë kohë, i pakundërshtueshëm, i njohur nga të gjitha institucionet.

Kështu që besoj që argumenti është jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse nëse dy të dënuar janë në të njëjtat rrethana dhe vetëm për arsye muajsh, ndërkohë që ne jemi duke e diskutuar sot këtë ligj, i dyti nuk përfiton, besoj që qëllimi i projektligjit është pikërisht për të shërbyer atë që thamë që në fillim".

EMISIONET