Nuk janë notat që e tregojnë gjithmonë inteligjencën, por këto 4 fjali zbulojnë një mendje të zhvilluar

Inteligjenca nuk shfaqet vetëm përmes notave të larta, diplomave apo rezultateve në teste. Sipas ekspertëve, një nga treguesit më të rëndësishëm të të menduarit të avancuar është aftësia për të pranuar një gabim dhe për të ndryshuar qëndrim kur përballesh me fakte ose argumente më të forta.
Mjekja Emma Jones, e njohur në rrjetet sociale për këshillat mbi lodhjen profesionale dhe mirëqenien mendore, ka ndarë një video që u bë virale, ku shpjegon se njerëzit me inteligjencë të lartë nuk kanë frikë të rishikojnë bindjet e tyre.
Sipas saj, ekzistojnë katër shprehje të zakonshme që tregojnë një mendje të hapur:
“Më parë mendoja se…”
“Ky është një argument i mirë.”
“Më duhet ta rishqyrtoj.”
“Kam ndryshuar mendim.”
Këto fjali duken të thjeshta, por sipas Jones tregojnë aftësinë për të dëgjuar, për të analizuar informacionin dhe për të pranuar se një mendim mund të ndryshojë kur paraqiten të dhëna të reja.
Njerëzit shpesh përpiqen të mbrojnë idetë e tyre edhe kur përballen me fakte që i kundërshtojnë. Ndërsa personat me mendim kritik e shohin ndryshimin e qëndrimit jo si humbje, por si një mënyrë për të mësuar më shumë.
Në vend që të përpiqen gjithmonë të fitojnë një debat, ata pyesin veten: “Çfarë mund të mos jem duke kuptuar?”
Sipas Jones, një person inteligjent nuk e lidh vlerën e tij me faktin nëse ka gjithmonë të drejtë. Një gabim mund të shihet si një mundësi për të marrë informacion të ri dhe për të përmirësuar mënyrën e të menduarit.
Në këtë kuadër përmendet shpesh edhe një shprehje që i atribuohet Albert Ajnshtajnit: “Masa e inteligjencës është aftësia për të ndryshuar”, edhe pse nuk ka prova të sigurta se kjo frazë është thënë prej tij.
Ekspertët kujtojnë se pranimi i gabimeve nuk është i vetmi tregues i inteligjencës dhe këto katër fjali nuk përbëjnë një test shkencor. Megjithatë, kureshtja, mendimi kritik dhe gatishmëria për të mësuar mbeten disa nga aftësitë më të rëndësishme të një mendjeje të zhvilluar.


