VIDEO/ Skema Kombëtare financim deri në 200 mijë lekë për rasatet e peshkut

VIDEO/ Skema Kombëtare financim deri në 200 mijë lekë

Ripopullimi i ujërave të brendshme me rasate peshku mbështetet edhe këtë vit përmes Skemës Kombëtare 2026, një masë që synon zhvillimin e sektorit të akuakulturës në vend.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se subjektet e interesuara mund të përfitojnë mbështetje financiare për blerjen e rasateve të peshkut që përdoren për ripopullimin e liqeneve, rezervuarëve dhe ujërave të tjera të brendshme.

Sipas skemës, financimi mbulon 50% të vlerës së faturave tatimore të paraqitura nga aplikantët, ndërsa vlera maksimale e mbështetjes arrin deri në 200 mijë lekë për çdo subjekt përfitues.

Kjo masë konsiderohet e rëndësishme për ruajtjen dhe shtimin e fondit peshkor në ujërat e brendshme, duke kontribuar në balancën ekologjike dhe në rritjen e potencialit prodhues të sektorit. Mbështetja financiare synon gjithashtu të nxisë investimet në aktivitetet e akuakulturës dhe të krijojë mundësi më të mira ekonomike për operatorët që veprojnë në këtë fushë.

AZHBR bën të ditur se procesi i aplikimit është i hapur dhe u kërkon të interesuarve të përfitojnë nga kjo mundësi mbështetjeje. Për informacione shtesë dhe asistencë teknike gjatë aplikimit, fermerët dhe subjektet mund t’i drejtohen Agropikave ose zyrave rajonale të ekstensionit bujqësor në të gjithë vendin.

Skema Kombëtare 2026 përbën një nga instrumentet kryesore të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke financuar 9 masa mbështetëse dhe 3 skema investimi që synojnë rritjen e prodhimit, përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

EMISIONET