Çahet dhe Grupi “Basha”/ Sherre për zgjedhjen e kryetarit që ka siglën e vulën

Ndahet dhe grupi Basha. Deputetët largohen nga mbledhja e Kryesisë, akuzojnë se u kërcënua. Anëtarët e mbetur votojnë për zgjedhjen urgjente të kryetarit

Dy orë pas mesnate dhe pas nëntë orë debatesh të forta, Partia Demokratike e cilësuar zyrtare vendosi me 17 vota të zgjedhë me urgjencë kryetarin e ri.

Propozimet nuk sollën konsensus, por persona nga jashtë Kryesisë u futën në ambiente dhe ushtruan presion.

Grupi që kërkoi analizë e më pas zgjedhje në degë e më tej te kryetari u larguan para kohe nga mbledhja, por sërish nuk i shpëtuan kërcënimeve

Të njëjtët persona nuk nguruan të ngrinin zërin ndaj gazetarëve, madje edhe duke i kërcënuar.

Debatet në orën 2 pas mesnatës u pasuan me deklarata jashtë saj.

Jonila Godole: U thashë kujdes kolegë sepse duhet të bëjmë një analizë dhe të mos nxitojmë për të zgjedhur dhe për të bërë votimin për kryetar. Nuk është puna tek kryetari, por PD duhet të tregojë se është parti ndryshe nga partitë e tjera. Një parti e hapur, një parti që mëson nga gabimet e veta, analizon humbjen dhe analizon thellë. Pasi të kemi mendimin e bazës të analizojmë të dhënat dhe të nxjerrim disa mësime. Çfarë nuk shkon me Partinë Demokratike që e kanë votuar vetëm 100 mijë veta?”

Roland Bejko: “Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Di të them që për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët dhe besojmë se gjithsekush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD deri më sot nga një vit që kur është larguar Basha. Unë i përfshiva të dy propozimet si atë të grupit parlamentar dhe atë të kryesisë, i përputha në një. Nuk u ra dakord për faktin se muaji gusht nuk bëhen dot zgjedhjet në parti. Kur u kërkua që të bëhej votimi, u largua sekretari i përgjithshëm nuk e mora vesh sesi iku, u larguan edhe disa deputetë. Të vish dhe të imponohesh që në rast se propozimi im nuk miratohet unë largohem kjo nuk është mirë për PD. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe iki”.

Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve dhe ndonjë anëtari tjetër ishte i tillë, që në rast se nuk merret parasysh çfarë ne duam çohemi dhe ikëm. Tek pika 5 e propozimit që ka bërë grupi i PD thuhej që nëse nuk do ketë një zgjidhje konsensuale në do ta shkojmë veten jashtë procesit. Edhe ky ishte ultimatum. Ndërkohë Kolegji dhe grupi i kryetareve janë institucione që rekomandojnë, por nuk vendosin. Vendimin e merr Kryesia. Në demokraci është zgjidhur me votë kur nuk ka konsensus. Por ama të vij unë brenda kryesisë, kam një variant dhe varianti im nuk miratohet dhe të çohem dhe të largohem, kjo nuk është demokratike, kjo është thikë pas shpine për PD. Veprimet që i kanë bërë gjithsecili mban përgjegjësi dhe për demokratët sot dhe nesër. Kemi nevojë për mbështetje jo për shkelma.”

Përplasja vijoi të mërkurën. Gazment Bardhi kërcënimet nga personat jashtë kryesisë i konsideroi si grup paramilitar.

Gazment Bardhi: “Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.

Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë.”

Edhe kundërshtarët e tij brenda PD u distancuan. Kolegji i kryetarëve shprehet se dhuna për tiu imponuar kryesisë për votën është e papranueshme,

Edhe Lulzim Basha u distancua. Në deklaratë vlerëson debatin konstruktiv, dhe dënon kulturën e vjetër politike të baltës e shantazhit

Përballjet për kryetarin u pasuan me dorëheqje. Flamur Hoxha njoftoj largimin si anëtari i Kryesisë dhe si sekretar organizativ duke thënë se nuk është në lartësinë e asaj kryesie. Të njëjtin veprim ndërmori edhe Oriela Nebiaj.

Zhvillimet i komentoi dhe Sali Berisha, por pa përmendur nisjen e zgjedhjeve, tërhoqi vëmendjen për kërcënimin e gazetarëve.

EMISIONET