"4.2 milionë euro për Kanye West"/ Këlliçi: Kuvendi po lë pas zjarret, përmbytjet dhe ligjet për interesin publik

I ftuar në studion e Ora News, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ngriti akuza për mënyrën se si po përcaktohen prioritetet në Kuvend. Ai u ndal te fondi i emergjencave civile, një pagesë e parashikuar për koncertin e Kanye West, si edhe te mosfutja në rend dite e disa nismave ligjore të propozuara nga opozita.

Këlliçi tha se prej pesë javësh opozita ka kërkuar që në seancë plenare të diskutohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, paketa e maleve dhe ligji për trashëgiminë kulturore, por sipas tij këto kërkesa nuk janë përfshirë në rendin e ditës.

"Ne kemi kërkuar prej pesë javësh që të vijnë për t'u diskutuar dhe të hidhen për votim në seancë plenare. Le të vendosë Partia Socialiste, le t'i votojë kundër kërkesat tona, por t'i sjellë për diskutim. Kjo nuk po ndodh."-tha Këlliçi. 

Ai u ndal edhe te protesta e zhvilluar prej javësh nga të rinjtë dhe shoqëria civile, duke e cilësuar të pajustifikuar mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të tyre.

Sipas Këlliçit, në seancën e ardhshme parlamentare mund të paraqitet për miratim një ligj special që parashikon disbursimin e 4.2 milionë eurove për koncertin e Kanye West.

Ai tha se një vendim i tillë do të ishte i paprecedentë dhe ngriti shqetësimin për përdorimin e fondit të emergjencave civile.

"Nëse vjen një ligj special për të kaluar pagesën prej 4.2 milionë eurosh për koncertin e Kanye West, do të ishte hera e parë që Kuvendi voton me ligj një pagesë të tillë për një koncert privat. Ndërkohë çdo verë digjen mijëra hektarë dhe nuk ka helikopterë për zjarret, ndërsa në dimër përmbytet një pjesë e vendit dhe thuhet se mungojnë fondet për emergjencat civile."-tha ai.

Këlliçi e konsideroi këtë një çështje që duhet të diskutohet publikisht, duke kërkuar që Kuvendi të trajtojë nismat ligjore dhe problematikat që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.

 

EMISIONET