32 vjet pas rrëzimit të bustit të diktatorit, Boçi: Diktaturën e rrëzuam, tani të rrëzojmë kllounin e saj

32 vjet pas rrëzimit të bustit të diktatorit, Boçi:

Nenkryetari i demokratëve njëherësh kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi shprehet se është koha që të rrëzojnë “klounin e diktaturës”.

Në një reagim të bërë së fundmi, ai shprehet se problemi real që kanë sot shqiptarët nuk është se kë të zgjedhin mes të majtës dhe të djathtës, por se atyre u duhet të jenë të qartë kur të refuzojnë të ligjtë, shpirtzinjtë që ende e përmendin Enverin si sjellës të zhvillimit, ndërsa përqafojnë mes rradhëve të tyre të gjithë pasardhësit e familjeve kryesore që ju bashkuan regjimit.

"32 vjet pas rrëzimit të bustit të diktatorit në sheshin qëndror të Tiranës, Enver Hoxha mbetet për shqiptarët vija e demarkacionit moral mes të mirëve dhe të ligjve, mes shpirtdhëmbshurve dhe shpirtzinjve – që e ndërtuan jetën e tyre mbi mundimin dhe cfilitjen e dikujt tjetër dhe nuk pranojnë të pendohen për këtë.

Një Shqipëri që dilte nga mesjeta komuniste, pas gjysëm shekulli shkatërrim ekonomik dhe shplarje truri, nuk mund të kishte një të majtë dhe një të djathtë të kthjellët. Në vitin 1991, në Shqipëri – të gjithë ishin proletarë.

Debati ideologjik për të paktën 3 dekada ka kthjelluar bindjen se antikomunizmi dhe pro-komunizmi në Shqipëri përplasen egër tek mbrojtja ose tek rrëzimi i Enver Hoxhës, si simbol i epokës së sundimit të shpirtzinjve. Të tjerët ose ishin marrë peng, ose ishin viktima.

Problemi real që kanë sot shqiptarët nuk është se kë të zgjedhin mes të majtës dhe të djathtës. Atyre u duhet të jenë të qartë kur të refuzojnë të ligjtë, shpirtzinjtë që ende e përmendin Enverin si sjellës të zhvillimit, ndërsa përqafojnë mes rradhëve të tyre të gjithë pasardhësit e familjeve kryesore që ju bashkuan regjimit.

Rrëzimi i Enver Hoxhës në këtë kuptim duhet të rindodhë moralisht brenda seicilit prej atyre që i thotë vetes shqiptar. Kjo është e vetmja mënyrë që ky vend të ndahet nga e shkuara.

Në lidhje me diktaturën, sociologët e kulturës dhe antropologët duhet ende të flasin publikisht për gjetjet e tyre. Por ajo që dihet është se antikomunizmi i shqiptarëve nuk ishte aq ideologjik, sesa moral.

Shqiptarët nuk u rebeluan thjesht kundër skllevërisë politike dhe varfërisë që u shitej si barazi ekonomike. Ata së pari u ngritën kundër Enverizmit – si filozofi e së keqes, si poshtërsi e sjelljes shoqërore dhe e motiveve të saj.

Në këtë frymë ata kundërshtuan dyfytyrësinë e regjimit që kishte nisur të nxirrte psherëtimat e Sulo Gradecit për çorapet e harrnuara të udhëheqësit, ndërsa vendi vlonte nga legjendat urbane për fëmijët e bllokut komunist dhe jetën e drejtuesve enveristë të vendit. Një pjesë e madhe e atyre fëmijëve apo e fëmijëve të tyre sot janë në qeveri, përkrah me Edi Ramën – djalin e skulptorit të dashur të udhëheqësit, anëtarit të Komitetit Qëndror.

Duke rrëzuar Enver Hoxhën, shqiptarët vijëzuan njëherë e mirë me hijen e gjatë të shtatores që poshtërohej dy kampet morale të një kombi, i cili duhet ende të bëjë paqe me të shkuarën Derisa ne të mos ta rrëzojmë diktatorin brenda nesh, si qytetarë, si njerëz, si krijesa me kujtesë – ai rrezikon të rikthehet", shprehet Luçiano Boçi.

luçiano boçi edi rama

EMISIONET