Shkarkimi i Erion Veliajt: Akti i fundit në braktisjen totale të “kolegut”

Këshilli bashkiak i Tiranës shkarkoi sot kryetarin e bashkisë Erion Veliaj. Motivi u bazua në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Shkarkimi i Veliaj bashkoi si rrallë herë në Këshill bashkiak, demokratë dhe socialistë, po ashtu edhe partitë e vogla. Demokratët nga ana e tyre thanë se Veliaj duhet të ishte shkarkuar me kohë, por kërkuan që Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen e thirrur dhe të dëgjohet.
Ndërkohë socialistët kishin tjetër axhendë, ata kërkonin që ta shkarkonin me ngulm Erion Veliajn, në atë që dukej si një vendim i marrë gjetkë, diku atje lart në piramidën e pushtetit.
Në mënyrë ironike, i njëjti këshill bashkiak socialist që deri dje i mbështeti dhe i miratoi çdo vendim abuziv të Veliajt, qysh shembjet në Astir dhe 5 maj, e deri tek shembja e Teatrit Kombëtar, sot iu kthye kundër me të njëjtën bindje kokëulur.
Sot në këshillin bashkiak ndodhi edhe një metamorfozë, aty u lejua diskutimi, po ashtu edhe mediet e kamerat. Ndoshta çlirimi nga dragoi Veliaj e bëri më demokratik këtë institucion, që deri dje ishte kthyer në një sekser hermetik i kryebashkiakut.
Për socialistët, duket se Veliaj nuk ekziston më. Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, as nuk ia përmendi emrin ish-benjaminit të tij të besuar kur kërkoi që të nisë puna për shkarkimin e tij.
Por ashtu si me Teatrin Kombëtar, Rama e delegoi përgjegjësinë për shkarkimin e Veliajt tek këshilltarët socialistë, edhe pse e ka fuqinë ta shkarkojë si kryebashkiak menjëherë.
Madje fiks në momentin që Veliaj u shkarkua në këshill bashkiak, Rama postoi një video nga Thethi si për të treguar braktisjen totale ndaj tij.
Tashmë Veliaj duket si peshë e vdekur në anijen e PS-së së mandatit të katërt dhe sa më shpejt të hidhet tutje, aq më mirë është. Atij i është gjetur edhe zëvendësuesi, Ogerta Manastirliu.
Nga ana e tij, Erion Veliaj përmes një letre kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, por kërkesa e tij ra vë vesh të shurdhër. Ndoshta po të ishte aty Veliaj do të shihte teatrin e socialistëve dhe ndokujt do t’i thoshte “edhe ti, Brut”.
Sigurisht, në këtë det të madh braktisjeje, nuk mungoi edhe ndonjë ish-mjaftist që akoma i qëndron besnik shokut të vjetër të dikurshëm në shoqërinë civile.
Kryebashkiaku llërëpërveshur sot ishte më izoluar se kurrë, jo vetëm nga muret e qelisë, por më shumë nga të tijët që i kanë mbyllur derën. Ata nuk denjojnë ta dëgjojnë të flasë në këshill bashkiak. Veliaj sot në mënyrë ironike ndodhet në pozicionin e atyre mijëra qytetarëve që u ka mbyllur dyert e bashkisë. Këtë herë, ai provoi të keqen që vetë prodhoi dhe të cilës ishte pjesë.
Veliaj sot është i izoluar më shumë se kurrë edhe nga mediet, që deri dje ishin shërbëtoret e tij më të ethshëm, medie që i reklamonin edhe frymëmarrjen si arritje, por sot objektivat e kamerave të tyre nuk i çanë dot muret e qelisë në Durrës. Njeriu i kamerave dhe prozhektorët, nuk u lejua as në prapaskenë.
Pas vendimit të këshillit bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, topi do të jetë në duar e kryeministrit Rama, Tirana do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. PS-ja ka paraqitur Ogerta Manastirliun si kandidate, ndërsa opozita akoma nuk e ka një emër.
Shkarkimi i Veliajt mbyll një histori të gjatë të një njeriu që u katapultua nga shoqëria civile dhe u shndërruar në modelin më të keq të një politikani të ri në këto 30 vite, në një rrugëtim meskin që e projektoi atë një ditë edhe si zëvendësues të Edi Ramës.
Dhe pikërisht kjo e keqe i erdhi pikërisht nga ai që e shihte si mentor dhe baba politik: Edi Rama, i cili dikur e paralajmëroi atë që sot duket si një profeci e realizuar!


