Tajfuni më i fuqishëm i vitit godet Kinën/ Mbi 715 mijë persona evakuohen dhe qytetet futen në alarm

Një tajfun i fuqishëm ka goditur bregdetin jugor të Kinës, duke shkaktuar masa të jashtëzakonshme sigurie nga autoritetet. Tajfuni “Noul” ka sjellë erëra të forta dhe reshje intensive, ndërsa mbi 715 mijë persona janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.
Sipas autoriteteve kineze, “Noul” është tajfuni më i fuqishëm që ka prekur Kinën gjatë këtij viti. Stuhia ka mbërritur në tokë në qarkun Huidong, në provincën Guangdong, rreth orës 03:50 të mëngjesit të së dielës.
Pas goditjes së bregdetit, tajfuni pritet të vijojë lëvizjen drejt brendësisë së vendit, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në provincat Jiangxi dhe Hunan.
Autoritetet kanë vendosur nivelin më të lartë të alarmit për përmbytje të menjëhershme në disa zona, ndërsa ekipet lokale janë vendosur në gatishmëri të lartë veçanërisht në zonat malore, pranë lumenjve, kantieret e ndërtimit dhe territoret me rrezik të shtuar.
Në provincën Guangdong janë pezulluar shërbimet hekurudhore, ndërsa në Hong Kong janë anuluar rreth 350 fluturime për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. Të paktën nëntë persona janë raportuar të lënduar gjatë kalimit të tajfunit.
Në Hong Kong, një pjesë e skelës së një ndërtese të lartë është shembur gjatë afrimit të stuhisë, por nga informacionet paraprake nuk raportohet për persona të dëmtuar.
Reshjet e sjella nga “Noul” kanë prekur edhe Tajvanin, kryesisht zonat jugore dhe lindore të ishullit, ndërsa stuhia po largohet gradualisht nga rajoni.


