HISTORI SUKSESI! Fëmija fiton betejën me sëmundjen në Pediatrinë e QSUT, 9 vite pa terapi

HISTORI SUKSESI! Fëmija fiton betejën me sëmundjen në

Një histori suksesi dhe shprese vjen nga Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku një fëmijë i diagnostikuar me nefroblastomë në moshën 6-muajshe, ka arritur të shërohet plotësisht.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se: “Noeli u diagnostikua herët dhe nisi menjëherë trajtimin e specializuar në QSUT. Pas një periudhe të gjatë trajtimi dhe ndjekjeje mjekësore, ai sot gëzon shëndet të plotë dhe prej 9 vitesh është pa terapi”.

Mjekët theksojnë se rasti i tij përbën një shembull të rëndësisë së diagnostikimit të hershëm, trajtimit në kohë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes familjes dhe stafit mjekësor.

Sot, Noeli jeton një jetë normale, duke u rritur si çdo bashkëmoshatar i tij, ndërsa historia e tij mbetet një mesazh shprese dhe force për të gjitha familjet që përballen me sfida të ngjashme.

“Çdo buzëqeshje e tillë është një fitore për jetën,” thuhet në njoftimin e MSHMS.

Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike është një njësi e specializuar brenda strukturës së Pikës së Asistencës Imunizuese (PAI-t Pediatrik), e dedikuar për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen afatgjatë të fëmijëve me sëmundje beninje dhe malinje të gjakut, si dhe me tumore solide.

Kjo njësi ofron kujdes multidisiplinar të personalizuar, të bazuar në standardet më të fundit të mjekësisë pediatrike, në një ambient të sigurt dhe mbështetës për fëmijët dhe familjet e tyre.

 

EMISIONET