Pushtimi i vetvetes, nga trauma e Sokratit te lindja e filozofisë platonike dhe moderniteti

Platoni nuk lindi filozof; ai u thirr nga rrethanat për t'u bërë i tillë. Erdhi në jetë rreth vitit 428 p.e.s. në djepin e një Athine të pasur dhe me ndikim aristokratik. Rinia e tij ishte e destinuar për sferat e larta të pushtetit dhe jetës publike. Megjithatë, trajektorja e tij ekzistenciale pësoi një thyerje thellë dhe transformuese kur ai dëshmoi ekzekutimin e mësuesit të tij, Sokratit. Të shihte njeriun më të mençur të kohës të dënuar me vdekje nga vetë mekanizmat e demokracisë athinase, për Platonin e ri nuk ishte thjesht një tragjedi personale, por një falimentim kozmik i sistemit të vlerave të shoqërisë. Ky moment shkatërroi përfundimisht besimin e tij te pushteti i korruptueshëm, opinioni publik dhe demokracia e verbër e masave. Në këtë pikëkthes, ai kuptoi se përpara se të reformohej shteti, duhej të reformohej shpirti njerëzor. Ai braktisi arenën politike të zhurmës për t’iu kushtuar tempullit të filozofisë.
Vdekja e Sokratit u bë kudhra mbi të cilin Platoni farkëtoi të gjithë sistemin e tij filozofik. Ai vuri re një paradoks njerëzor tmerrues, se sa më afër të jetë e vërteta, aq më e dhunshme është gjuha e egos që kërkon ta refuzojë atë, sepse e vërteta kërcënon rehatinë e iluzioneve tona. Kjo përvojë traumatike gjeti jehonë të plotë në kryeveprën e tij, Republika, veçanërisht përmes të famshmes "Alegoria e Shpellës".
Për Platonin, shumica e njerëzve jetojnë si të burgosur në fundin e një shpelle, të lidhur me zinxhirët e paragjykimeve, duke parë vetëm hijet e projektuara në mur dhe duke i ngatërruar ato me realitetin. Sokrati ishte ai i burgosuri që u çlirua, pa dritën e diellit (të Vërtetën) dhe u kthye për të shpëtuar të tjerët, por shoqëria e mbytur në injorancë zgjodhi ta vriste në vend që ta dëgjonte. Përmes këtij shtjellimi, Platoni ndan botën dysh, në bota e dukjeve shqisore, e cila është kalimtare dhe mashtruese dhe bota e ideve, ku banojnë e vërteta, e bukura dhe e mirat absolute.
"Njerëzit shpesh bëhen armiq të asaj që nuk kuptojnë, sepse është më e lehtë të vrasësh lajmëtarin sesa të ndryshosh mënyrën e jetesës."
Një nga thyerjet më të thella konceptuale që Platoni sjell në mendimin njerëzor është dallimi i prerë midis informacionit, ose njohurisë sipërfaqësore dhe mençurisë së vërtetë. Ai vuri re se njerëzit mund të zotërojnë dituri të mëdha, por prapëseprapë ka gjasa të mbeten skllevër të emocioneve primitive, krenarisë së sëmurë dhe ambicies së verbër. Dituria pa etikë është thjesht një armë e rrezikshme në duart e egos.
Mençuria e vërtetë, sipas Platonit, nuk vjen nga jashtë, por fillon nga brenda, përmes një procesi të dhimbshëm të vetë-ekzaminimit. Ajo kërkon guximin për të sfiduar opinionet e turmës dhe për të mos u dorëzuar para thirrjeve hedoniste të kënaqësisë së çastit. Është pikërisht ky kontekst që i jep peshë maksimës së tij të përjetshme, sipas së cilës "Fitorja e parë dhe më e madhe është të pushtosh veten."
Në rrafshin filozofik, të pushtosh veten do të thotë të vendosësh arsyen si udhëheqëse të shpirtit, duke zbutur dhe vënë nën kontroll pjesën e dëshirave dhe atë të pasioneve apo zemërimit. Kushdo që dështon të qeverisë veten, sipas Platonit, është i paaftë të qeverisë të tjerët.
Kësisoj, jeta dhe vepra e Platonit dëshmojnë se filozofia për të nuk ishte kurrë një ushtrim steril akademik apo një grumbull idesh abstrakte. Ajo ishte një mjet mbijetese shpirtërore, një busull ekzistenciale në një botë të mbytur nga zhurma, demagogjia dhe iluzionet e përkohshme.
Edhe sot, në epokën e njoftimeve të pandalshme dhe "shpellave" tona moderne digjitale, ftesa e Platonit mbetet e njëjtë: të shkëputemi nga zinxhirët e opinionit të masës, të kthejmë shikimin nga drita e arsyes dhe të kuptojmë se revolucioni më i madh në histori nuk ndodh në sheshet e qytetit, por në dhomën e qetë të vetëdijes sonë.
Ky shtjellim filozofik rreth Platonit dhe Sokratit nuk është thjesht një leksion historie, ai është një pasqyrë e frikshme dhe e saktë e realitetit tonë të përditshëm. Kur Platoni flet për "Shpellën" apo për "pushtimin e vetvetes", ai përshkruan me përpjekje ekzistenciale pikërisht botën ku jetojmë sot.
Platoni thoshte se njerëzit në shpelle ngatërrojnë hijet me realitetin. Sot, ato hije janë ekranet e telefonave tanë. “Hijet reflektuese” i rrjeteve sociale janë shpella jonë digjitale. Ne shohim jetë të rreme, të analizuara e me filtra, debate sipërfaqësore dhe lajme të bujshme, duke besuar se ky është realiteti.
Ashtu si të burgosurit e Platonit që sulmonin atë që u tregonte të vërtetën, sot kushdo që guxon të mendojë ndryshe nga "turma digjitale" përballet me kulturën e hakërrimit vulgar dhe fshirjes.. EGO-ja kolektive e internetit nuk e duron dot të vërtetën nëse ajo prish rehatinë e iluzioneve tona, nëse për një cast na heq maskat dhe ne shohim tragjikisht vetveten që I’a fshehim të tjerëve duke e varrosur thellë nesh.
Jetojmë në epokën ku kemi më shumë informacion se në çdo periudhë tjetër të historisë njerëzore, por ndoshta më pak mençuri se kurrë.
Shtjellimi thotë se "dituria pa etikë është një armë e rrezikshme". Sot shohim njerëz me grada akademike, politikanë apo "influencues" që përdorin inteligjencën dhe mjetet teknologjike për të manipuluar masat, për të krijuar konflikte ose për përfitime personale.
Kemi zëvendësuar kërkimin e së vërtetës me kërkimin e "klikimeve" dhe pëlqimeve. Kjo vërteton saktësisht frikën e Platonit: opinioni publik vazhdon të triumfojë mbi të vërtetën e pastër.
Ekzekutimi i Sokratit ndodhi në një sistem demokratik, ku masa votoi për vdekjen e tij. Ky është një paralajmërim i madh për realitetin tonë gjeopolitik.
Kjo orvatet imponueshëm, kur shoqëria udhëhiqet nga emocionet, frika dhe manipulimi dhe demokracia kthehet në populizëm të verbër.
Sot shohim shpesh se si në fushata elektorale apo debate publike, nuk fiton njeriu më i mençur apo programi më racional, por ai që bën më shumë zhurmë, ai që prek emocionet më primitive të masës dhe ai që ushqen egon e turmës.
Maksima e Platonit, "Fitorja e parë dhe më e madhe është të pushtosh veten", sot është një sfidë e jashtëzakonshme neurobiologjike.
Ne jemi të bombarduar nga njoftimet, reklamat dhe ushqimet e shpejta që synojnë të stimulojnë pjesën më primitive të shpirtit tone, atë që Platoni e quante Epithumia, dëshirat, instinktet.
Të kontrollosh veten sot, të fikësh telefonin, të lexosh një libër të thellë, të bësh një shëtitje në heshtje si Ajnshtajni apo Platoni, të mos reagosh me zemërim ndaj një komenti, është akti më i lartë i revolucionit të brendshëm. Kush nuk pushton dot veten sot, përfundon si një konsumator i thjeshtë i varur nga algoritmi.
Trishtueshëm pohoj se Sokrati nuk u ekzekutua vetëm një herë në Athinë në vitin 399 p.e.s. Ai ekzekutohet çdo ditë në botën tone, sa herë që ne zgjedhim gënjeshtrën komode përpara të vërtetës së dhimbshme, sa herë që ndjekim turmën verbërisht dhe sa herë që lejojmë që zhurma e jashtme të mbysë zërin e arsyes sonë.
Ftesa e Platonit nuk është të bëhemi të gjithë akademikë, por të kemi guximin të dalim nga "shpella" jonë personale.
Përgatiti: Albert Vataj



