Pse Schopenhauer mendonte se shumica e njerëzve nuk jetojnë, ata thjesht arratisen nga vetvetja

Pse Schopenhauer mendonte se shumica e njerëzve nuk jetojnë, ata

Mërzia si prova metafizike e zbrazëtisë së ekzistencës, një trajtim mbi pesimizmin filozofik të Arthur Schopenhauer.

Pikërisht kjo qasje,  për të depërtuar në thellësinë e qenies dhe për ta lexuar nën dritën e arsyes së një shërbese për syçelësi, Shopenhauri mbeti i rëndësishëm sepse ai ishte i pari që pati guximin ta zhvishte botën nga iluzionet optimiste racionaliste, për ta përballur me veten më shumë sesa me botën.

Arthur Schopenhauer nuk shkruan për të qetësuar shpirtin njerëzor, por për ta vendosur atë përballë një të vërtete të pamëshirshme, se ekzistenca, në vetvete, nuk është lumturi, as përmbushje, por një qark i pafundëm nevojash, mungesash, dëshirash dhe mërzie.

Çfarë shkruan ai: “Jeta njerëzore duhet të jetë një lloj gabimi. E vërteta e kësaj do të jetë mjaft e qartë nëse kujtojmë vetëm se njeriu është një përzierje nevojash dhe domosdoshmërish të vështira për t’u plotësuar; dhe se edhe kur ato plotësohen, e tëra çfarë ai fiton është një gjendje pa dhimbje, ku nuk i mbetet asgjë tjetër përveç braktisjes ndaj mërzisë. Kjo është provë e drejtpërdrejtë se ekzistenca nuk ka vlerë të vërtetë në vetvete; sepse çfarë është mërzia përveç ndjenjës së boshllëkut të jetës? Nëse jeta, dëshira për të cilën është vetë thelbi i qenies sonë, do të kishte ndonjë vlerë pozitive të brendshme, nuk do të kishte asgjë të tillë si mërzia, thjesht ekzistenca do të na kënaqte në vetvete dhe nuk do të na mungonte asgjë.”

Në këtë fragment ai formulon një nga postulatet më të errëta dhe më tronditëse të filozofisë moderne, jeta njerëzore mund të jetë një gabim ontologjik, mospërsosmëri ekzistenciale. Një devijim i vetë qenies. Jo sepse njeriu është i lig, por sepse vetë struktura e ekzistencës është e ndërtuar mbi mungesën.

Për Schopenhauerin, njeriu nuk është një qenie e lirë që zgjedh qetësisht fatin e vet. Ai është rob i “Vullnetit”, i asaj force të verbër, irracionale, të pangopshme që shtyn gjithçka drejt jetës, riprodhimit, dëshirës, lakmisë dhe mbijetesës. Ky Vullnet nuk ka moral, nuk ka qëllim, nuk ka kuptim moskuptues, ai thjesht kërkon të vazhdojë veten përmes qenieve. Njeriu, pra, nuk jeton sepse ekzistenca ka domethënie, por sepse është i dënuar të dëshirojë.

Dhe këtu fillon tragjedia.

Sepse dëshira është, në vetvete, mungesë. Të dëshirosh do të thotë të mos kesh. Çdo nevojë është një plagë e hapur e qenies. Uria, ambicia, dashuria, lakmia, epshi, kërkimi për lavdi, pasuri apo pranim, të gjitha janë forma të një boshllëku që kërkon të mbushet. Ndërsa njeriu vrapon pas përmbushjes së tyre, ai jeton në ankth dhe vuajtje. Por edhe kur arrin atë që kërkon, çfarë fiton? Jo lumturi të qëndrueshme, por vetëm ndërprerjen e përkohshme të dhimbjes.

Kjo është pika më therëse e mendimit të Schopenhauerit, lumturia nuk është diçka pozitive, por thjesht mungesa e vuajtjes dhe vetëm aq, por në një gjëndje përkohësie. Ajo nuk ka substancë të vetën. Është një çast pushimi midis dy dhimbjeve.

Prandaj ai shkruan se, kur nevojat plotësohen, njeriu bie në mërzi, një zbrazje demotivuese, një flakje në boshllëk. Dhe mërzia, për Schopenhauerin, nuk është një gjendje sipërfaqësore psikologjike, por një zbulim metafizik, një syçelje e mendjes se çfarë ka përtej. Ajo është momenti kur maskat bien dhe qenia përballet me zbrazëtinë e vet. Sa kohë që dëshirojmë, kemi iluzionin e qëllimit, por sapo dëshirat heshtin, shfaqet boshësia e ekzistencës.

Në këtë kuptim, mërzia bëhet prova më e fortë kundër idesë se jeta ka një vlerë të brendshme pozitive, një ngulm për nxitje, mospajtim me asgjënë. Sepse nëse vetë ekzistenca do të ishte e mjaftueshme, njeriu nuk do të kishte nevojë të shpikte pafundësisht shpërqendrime për të mos mbetur vetëm me veten. Nuk do të kishte nevojë për zhurmë, konsum, argëtim, ambicie të pafundme, gara sociale apo iluzione lavdie. Vetë fakti që njeriu nuk arrin të durojë qetësinë, sipas Schopenhauerit, dëshmon se ai nuk gjen kuptim te vetë të qenit, por e kërkon, ndërsa sfidon veten përballë betejave që përcaktojnë edhe pritshmëritë e triumfit.

Dhe sa aktual tingëllon kjo në kohën tonë, sot kur mendimi filozofik do të kushte një lëm të pasur.

Shoqëria moderne është ndoshta laboratori më i madh i vërtetimit të këtij pesimizmi filozofik. Kurrë më parë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë mjete për argëtim dhe shpërqendrim, por edhe kurrë më parë nuk ka qenë kaq i pushtuar nga ankthi, zbrazëtia dhe lodhja shpirtërore. Njeriu modern jeton i rrethuar nga ekrane, stimuj, konsum, informacion dhe imazhe, jo domosdoshmërisht sepse këto e bëjnë të lumtur, por sepse heshtja e përball me një pyetje që e tmerron: “Çfarë mbetet kur nuk kam më asgjë për të ndjekur?”

Schopenhauer do të thoshte se shumica e njerëzve nuk jetojnë, ata thjesht arratisen nga vetvetja.

Megjithatë, madhështia e tij filozofike nuk qëndron vetëm te diagnoza e errët e ekzistencës, por edhe te ndershmëria brutale me të cilën ai refuzon iluzionet. Ai nuk e zbukuron jetën me optimizëm artificial. Nuk predikon progres moral automatik, as lumturi universale. Ai guxon të thotë se vuajtja nuk është aksident i jetës, por vetë struktura e saj.

Por paradoksi është se pikërisht ky pesimizëm mund të prodhojë një formë më të lartë vetëdijeje. Sepse kur njeriu kupton kotësinë e garës së pafundme të dëshirave, ai mund të fillojë të çlirohet prej tyre. Schopenhauer gjen strehë të përkohshme te arti, te meditimi estetik, te dhembshuria dhe te mohimi i vullnetit egoist. Në soditjen e artit, për shembull, njeriu pushon për një çast së qeni skllav i dëshirës. Ai nuk kërkon të zotërojë botën, por vetëm ta kundrojë.

Kjo është arsyeja pse Schopenhauer admiroi aq shumë muzikën: sepse ajo, sipas tij, nuk përshkruan botën, por vetë ritmin e Vullnetit universal.

Në fund, ky tekst nuk është thjesht një reflektim mbi mërzinë. Është një aktakuzë ndaj vetë natyrës së ekzistencës njerëzore. Schopenhauer na detyron të pranojmë se njeriu lëkundet vazhdimisht midis dy poleve: vuajtjes kur dëshiron dhe mërzisë kur arrin. Dhe ndoshta tragjedia më e madhe është se ai vazhdon të besojë se shpëtimi gjendet gjithmonë te dëshira tjetër.

Kështu, filozofia e Schopenhauer-it mbetet një nga pasqyrat më të pamëshirshme që i janë vendosur ndonjëherë shpirtit njerëzor. Jo për ta dënuar atë, por për t’i treguar se sa shpesh e quan “kuptim” vetëm mënyrën më elegante të arratisjes nga zbrazëtia.

EMISIONET