“National Geographic”: Liqeni i Ohrit, perla e fshehur evropiane mes historisë së lashtë dhe bukurive natyrore

Nga malet e Sllovenisë te peizazhet e egra të Finlandës dhe brigjet e qeta të Francës, disa prej liqeneve më të bukur të Evropës vazhdojnë të mbeten larg turmave të mëdha turistike.
Liqeni i Ohrit është renditur mes gjashtë liqeneve më të veçanta të Evropës për ata që kërkojnë natyrë të paprekur dhe qetësi larg destinacioneve të mbipopulluara.
Liqeni i Ohrit, i shtrirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është renditur nga “National Geographic”, mes gjashtë liqeneve më të veçanta dhe ende jo shumë të mbipopulluara të Evropës, krahas Liqenit Bohinj në Slloveni, Ennerdale Water në Mbretërinë e Bashkuar, Liqenit Saimaa në Finlandë, Liqenit Thun në Zvicër dhe Liqenit Vassivière në Francë.
I konsideruar si liqeni më i vjetër i Evropës, Liqeni i Ohrit të jep ndjesinë e një vendi ku koha ka ndaluar.
I vendosur në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ai ekziston prej rreth 1,5 milionë vitesh, ndërsa vendbanimet përgjatë brigjeve të tij datojnë prej mijëra vitesh.
Megjithëse gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe ka një histori të jashtëzakonshme, Liqeni i Ohrit mbetet shumë më i qetë se shumë prej liqeneve të tjera të famshme evropiane.
Qyteti i Ohrit, qendra kryesore turistike e zonës, është një labirint rrugicash me kalldrëm, shtëpish të periudhës osmane dhe pikash panoramike të kurorëzuara nga kisha historike.
Vizitorët mund të kalojnë ditët duke eksploruar kapela bizantine, dyqane të famshme perlash dhe restorante buzë ujit.
Vetë liqeni mahnit me pastërtinë e tij të jashtëzakonshme. I ushqyer nga dhjetëra burime natyrore dhe i rrethuar nga male, që marrin nuanca të arta në perëndim të diellit, ai ofron peizazhe spektakolare në çdo stinë.
Një nga vendet më të bukura është Kisha e Shën Gjonit në Kaneo, e ndërtuar në shekullin XIII, e cila ngrihet mbi një shkëmb buzë liqenit dhe ofron një nga pamjet më ikonike të rajonit.
Shëtitjet me varkë janë ndër aktivitetet më të preferuara, veçanërisht drejt jugut, në Manastirin e Shën Naumit.
Aty pallonjtë shëtisin lirshëm në oborr, ndërsa pelegrinët vizitojnë varrin e shenjtorit.
Shumë ture ndalojnë edhe në Muzeun “Gjiri i Kockave”, një rikrijim i një vendbanimi prehistorik mbi shtylla, i ndërtuar mbi ujërat e kristalta të liqenit.
Në mbrëmje, atmosfera përgjatë bregut bëhet edhe më e veçantë.
Vera vendase, peshku i freskët i liqenit dhe muzika live krijojnë një ambient relaksues, në lokalet dhe restorantet që shtrihen përgjatë vijës ujore.
Për ata që kërkojnë një përvojë më të qetë, rekomandohet marrja me qira e një kajaku ose paddleboard-i për të eksploruar vijën bregdetare në veri të Kaneos, ku plazhet e qeta dhe gjiret e rrethuara nga pisha ofrojnë një anë më pak të njohur të Liqenit të Ohrit.


