Marubi hapet me fotot retro, ekspozohen imazhe të mjeshtrit Pjetër Rraboshta

Muzeu Kombëtar i Fotogarfisë Marubi në Shkodër ka çelur ekspozitën e parë për këtë vit. Në ekspozitë u prezantuan imazhet e fotografit të njohur Pjetër Rraboshita, ndërsa ato sjellin jetën e qytetit në mes të viteve 1949-1959.

Ekspozitën e parë të këtij viti, Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" zgjodhi ta çelë me imazhet e fotografit Pjetër Rraboshta.

Ai vjen me një rrugëtim imazhesh të cilat i përkasin viteve 1949 - 1959 e që sjellin jetën e qytetit, ritet e aktivitetet fetare, tregtare, sportive si dhe manifestimet politike.

Nuk mungojnë as temat e ushtrisë, apo ato në malësi që njihen si fotografitë për letërnjoftime.
E kuruar nga Zef Paci, mes 16 mijë negativësh të Rraboshtës, u zgjodhën të ekspozohen mbi 80 të tilla.

I biri i fotografit të ndjerë, tregon disa nga kujtimet e babait, punën që ka bërë për të realizuar këto imazhe, por edhe lidhjen e veçantë që kishte me Gege Marubin.

"Ka qenë një fotograf që ka fotografuar fëmijët me një dashamirësi shumë të madhe".

Pjetër Rraboshta ka punuar deri në vitet 40 në studion "Marubi", e më vonë do të çelte studion e tij "Foto Rraboshta".

Ishin fillim vitet '70, momenti kur ai i dorëzon shtetit arkivën e vet personale, e cila falë punës së muzeut "Marubi" i bashkëngjitet imazheve të digjitalizuara të fondit të pasur arkivor që ka ky institucion.

EMISIONET