FOTO+VIDEO/ Nga Vlora në Pukë, Fitër Bajrami festohet në sheshet e Shqipërisë
Sot është festë për të gjithë besimtarët myslimanë. Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të premte, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fitër Bajramin.
Atmosfera ka qenë festive ngado, e në çdo shesh, pas lutjeve e faljes, kanë nisur edhe urimet. Fitër Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme në kalendarin e fesë islame.
Festimet në Durrës

Numri i lartë i besimtarëve, që morën pjesë në faljen e Fitër Bajramit mëngjesin e së premtes i ka shtyrë drejtuesit e myftinisë dhe xhamisë së madhe të Durrësit të bëjnë disa ndryshime gjatë ceremonisë së namazit. Për herë të parë, këtë vit, një pjesë e sheshit “Liria” dhe hapësira të tjera publike pranë xhamisë sheshi para bashkisë rruga ishin në dispozicion të besimtarëve, për kryerjen e ritualit të faljes, që nisi në orën 6.25 minuta. Falja e Fitër Bajramit është më masive sesa falja e Kurban Bajramit, sepse besimtaret janë më të përfshirë në agjërim dhe më të përfshirë për të marrë pjesë në atmosferën e faljes së Bajramit.
Festa e Fitër Bajramit përmbyll muajin e madhërueshëm të Ramazanit, gjatë të cilit, besimtarët e devotshëm agjërojnë. Një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakasë, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë për më të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë. Pas faljes, besimtarët kthehen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat festive
Festimet në Fier

Që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët në Fier kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit filloi në orën 6:30 ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes se madhe, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njëri-tjetrit. Në ligjëratën e tij myftiu Mikel Hazizolli ka uruar e përshëndetur gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitet.
Vlorë
Qindra besimtarë myslimanë të Vlorës dhe zonave përreth kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fitër Bajrami në ambientet e pallatit të Sportit .
Myftiu i Myftinisë së Vlorës, Ardit Hoxhllaku, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj familjes dhe mbështetjes për njerëzit në nevojë.
Sipas tij, dashuria dhe kujdesi ndaj njëri-tjetrit janë një formë e drejtpërdrejtë e shprehjes së besimit dhe lidhjes me Zotin.
Myftiu Hoxhllaku ,në mbarim të faljes uroi për më shumë paqe dhe qetësi shpirtërore për të gjithë besimtarët. Falja e namazit të Fitër Bajramit është zhvilluar gjithashtu edhe në xhamitë e tjera të rrethit të Vlorës.
Gjirokastër

Besimtarët myslimanë në Gjirokastër kanë kremtuar ditën e Fitër Bajramit.
Mëngjesin e sotëm në mjediset e Pallatit të Sportit u zhvillua falja e kësaj dite të shenjtë. Faljen e namazit e ka drejtuar myftiu i Gjirokastrës, Ermin Gjana.Besimtarët janë lutur për më shumë paqe dhe harmoni mes njerëzve.
"T'ju uroj të gjithë qytetarëve të Gjirokastrës dhe vendit tonë një festë Fitër Bajrami sa më të gëzuar, me sa më shumë harmoni,mesa më shumë paqe,mirëkuptim edhe begati në jetën e familjeve të tyre" Pjesë e lutjes së Fitër Bajramit ishte edhe situata aktuale në botë dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme.
"Në këtë kohë luftërash,në këtë kohë konfliktesh,në këtë kohë ku bota zgjedh rrugën më të shkurtër për të zgjidhur konfliktet,rrugën e luftës dhe të përballjes ne kemi nevojë më shumë se kurrë që ta dëgjojmë njeri-tjetrin,ta mirëkuptojmë njeri-tjetrin dhe të kemi harmoni me njeri-tjetrin ishalla në jetën e përditshme" -tha Gjana në mesazhin drejtuar besimtarëve.
Më pas për besimtarët janë shpërndarë ëmbëlsirat e festës.Pjesë e festimeve të Ditës së Fitër Bajramit në Gjirokastër është edhe pritja e organizuar nga myftinia si dhe vizitat e besimtarëve në familjet e njeri-tjetrit.
Lushnjë

Sheshi kryesor i qytetit të Lushnjës shërbeu këtë mëngjes për faljen e namazit të Fitër Bajramit nga besimtarët myslimanë. Përmbyllja e muajit të madhërishëm të Ramazanit mblodhi në shesh qindra besimtarë, të cilët morën pjesë në faljen e kësaj feste të rëndësishme. Faljen e namazit e drejtoi Alban Puka, hoxhë i xhamisë së Lushnjës. Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjës, Gramoz Blliku, përcolli mesazhe bashkimi dhe vëllazërimi për të gjithë besimtarët e pranishëm.
VIDEO - Besimtarët e Elbasanit falin namazin e Fitër Bajramit
Pukë
Edhe besimtarët mysliman të Pukës pas përfundimit të përiudhës së agjërimit ju drejtuan xhamive të zonës. Ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u bë në Xhamin e Kodër Hanit. Falja u drejtua nga myftiu, Gëzim Kopani, i cili u ndal tek rëndësia e veprave të mira që duhet vazhduar nga besimtarët ashtu sikurse dhe gjatë muajit të Ramazant. Edhe ne Pukë besimtarët u lutën për ndalimin e luftërave, për paqe dhe mirësi.
Lezhë

Në qytetin e Lezhës, besimtarë të shumtë u mblodhën në xhami për faljen e namazit, në një atmosferë qetësie dhe përkushtimi.
Që në orët e para të mëngjesit, qytetarët kanë nisur të mbërrijnë në ambientet e xhamisë, ku pas thirrjes për namaz është zhvilluar rituali fetar në mënyrë të rregullt
Myftiu i Lezhës shprehet se kjo është një ditë e veçantë që i afron më shumë njerëzit me njëri-tjetrin dhe se lutjet shkojnë për paqe, harmoni dhe mirëkuptim mes të gjithëve.
Pas thirrjes për namaz, besimtarët kanë kryer ritualin fetar në mënyrë të rregullt, ndërsa pas përfundimit kanë shkëmbyer urime dhe përshëndetje mes njëri-tjetrit.
Namazi në sheshin “Skënderbej”

Që në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë falën Namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, që njihet ndryshe edhe si festa e mbylljes së agjërimit.
Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, e cila u fokusua te luftërat.
Spahiu theksoi se “lutjet janë për të gjithë ata që vuajnë, fëmijët që rriten mes frikës dhe popujt që duan paqe e drejtësi”.
Spahiu tha se “konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Në këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi”.
“Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo. Sot, aty ku ndodhet bota kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin. Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojnë këto vlera shumë të rëndësishme të patjetërsueshme në të gjitha kohërat dhe vendet”, theksoi Spahiu.

Agjërimi që në gjuhën arabe do të thotë “përmbahem”, është një nga pesë shtyllat e fesë islame, dhe gjatë saj si i varfëri, edhe i pasuri janë të barabartë.
Dita nisi herët me ndarjen e Sadaka Fitrit për të varfrit dhe më pas me grumbullimin në shesh.
Namazi i Bajramit është një detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhamedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.
Besimtarët veshin rroba të reja për Bajram, vizitojnë të afërmit dhe miqtë dhe përshëndeten me njëri-tjetrin duke uruar “Gëzuar Fitër Bajramin”.

Ëmbëlsirat përgatiten dhe shpërndahen me pjatën kryesore që është sewayi – kadaif i pjekur i gatuar me qumësht dhe i servirur me fruta të thata.
Ndryshe nga Kurban Bajrami (i cili fokusohet te mishi), Fitër Bajrami festohet me ëmbëlsira tradicionale të quajtura gjithashtu Meedhi Eid.
Pas drekës së bollshme me familjen, dita mbyllet me vizita tek miqtë e të afërmit.





