FOTO-REPORTAZHI/ Nga Vithkuqi në Voskopojë, përgjatë shtegut të “Udhës së Shkronjave”

FOTO-REPORTAZHI/ Nga Vithkuqi në Voskopojë, përgjatë shtegut

Vithkuqi dhe Voskopoja, dy nga qendrat me rëndësi për arsimin dhe shkronjat shqipe lidhen me rrugë që përshkohet më së shumti nga makina të larta. Pak njerëz e dinë që kjo distancë prej rreth 15 kilometrash mund të bëhet edhe në këmbë, përmes një shtegu tashmë të shenjuar që kalon në peizazhe piktoreske që dikur i bënin karvanët e mushkave.

Shtegu ka marrë emrin “Udha e Shkronjave” pasi lidh dy fshatra që lidhen ngushtësisht me shkronjat shqipe. Vithkuqi është vendi i origjinës së Naum Veqilharxhit, “Evetari” i të cilit çeli rrugëtimin e arsimit shqip, botuar në vitin 1844.

Sipas studiuesve, në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të, shumë ideologë apo mësues autodidaktë, ishin të mendimit që të mësuarit në gjuhën shqipe, me një alfabet të vetëm dhe origjinal ishte e vetmja mënyrë që arsimi të mos zhvillohej sipas përkatësisë fetare.

Një bust i Naum Veqilharxhit ndodhet në sheshin e Vithkuqit.

Shtegu i ri  drejt Voskopojës nis nga Manastiri i  Shën Pjetrit dhe Pavlit pak në të dalë të fshatit, monument kulture i shekullit XVII. Manastiri ka karakteristikat e objekteve ortodokse të kultit të gjithë zonës së Korçës e më tej. Të ndërtuara me gurë, kishat dhe manastiret e kësaj zone kanë rezistuar në kohë, por kanë nevojë të ngutshme për restaurime, sidomos sa i takon afreskeve në mure. Pak më tej manastirit ndodhet kisha e Shën Kozma Damjanit, një godinë e vogël me kat të nëndheshëm ku ruhen ende dhe sot eshtrat e dhjetëra banorëve të fshatit, tashmë të ngatërruara dhe pa emra. Dikur ato kanë qenë të vendosura në kuti, me emra dhe data, por në kohën e komunizmit kutitë u morën për t’u përdorur për punët e përditshme dhe eshtrat u ngatërruan.

Pas një vizite në manastir që ndodhet në një kodër sipër shtegut, rruga merr në krah të kundërt drejt Voskopojës. Vithkuqi të shoqëron nga larg në kilometrat e parë ndërsa ngjyrat e vjeshtës në këtë kohë e kanë zbukuruar edhe më shumë dhe e bëjnë udhëtarin të mendojë se ndodhet brenda një tabloje.

Vijat e kuqe dhe të bardha të shtegut të orientojnë lehtësisht duke prerë përmes një pylli ku ngjyrat e vjeshtës janë akoma dhe më të forta. Shtegu nis të ngjitet ngadalë drejt pllajave me kullota që në këtë kohë kanë marrë ngjyrë të verdhë, të thara nga vera e gjatë.

Më pas nis pylli i pishave dhe në qafë përballë sheh siluetën e maleve që rrethojnë zonën e që kulmojnë me Majën e Ostrovicës.

Shtegu është shenjuar nga grupi Korça Alpin që organizon aktivitete hiking që prej vitit 2017, në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, ADZM dhe një bankë private. Shtegu ka standardet sipas rregullores së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe standardeve të Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor.

Ecja e parë në këtë shteg mblodhi një grup rreth 100 persona duke bashkuar grupe hiking të disa qyteteve, si  Alpin Vlora, Hiking 4 Ever Tiranë, AST Albania, Discover Pogradec si dhe vizitorë nga Kosova, Maqedonia e Italia.

Përgjatë 5 orëve me disa pushime të ecjes në shteg, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me fakte historike e kulturore të krahinës ndërsa u njohën me njëri-tjetrin duke krijuar sinergjinë që duket qartë në foton përmbyllëse në Voskopojë.

Voskopoja shfaqet mes maleve dhe pyjeve me pisha me çatitë e kuqe dhe shtëpitë prej guri ndërsa era e tymit të zjarrit të druve endet në ajër. Është ndër fshatrat më të veçantë në Shqipëri dhe tërheq vizitorë në çdo stinë: në verë për klimën e shëndetshmë dhe ajrin e pastër e në dimër për peizazhet magjike me dëborë.

Voskopoja e 24 kishave është e atillë që krijon një kompleks monumental. Kishat janë 300-vjeçare dhe përbëjnë mozaikun më të pasur të monumenteve të kultit në vend ku kanë pikturuar edhe mjeshtër të pikturës si vëllezërit korçarë Kostandin,  Athanas Zografi.

Shtegu kalon bri një kishe të rrënuar para së të përfundojë tek Kisha e Kryeengjejve Mihal e Gabriel që thirret shkurtimisht si “Kisha e Shën Mëhillit”.

Kisha ka qenë pjesë e një kompleksi ndërtimesh, ku bënin pjesë kisha e Shën Spiridonit, kisha e Shën Varvarës dhe disa ndërtime të tjera ndihmëse të ngjitura në murin verior të naosit.

Voskopoja e djegur disa herë në kulmin e zhvillimit të saj mes kaosit të historisë, ka qenë edhe një qendër e lëvrimit të shqipes.

Siç shkruan Dhimitër Shuteriqi, shkolla fillore e Voskopojës u ngrit më 1740 në shkallën e një gjimnazi dhe u quajt Akademia e Re, duke marrë tiparet e një shkolle laike. Më 1720, qyteti ishte pajisur edhe me një shtypshkronjë, e vetmja në Perandorinë Osmane. U shtypën aty libra fetaro-kishtarë dhe ndonjë libër mësimi. Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Voskopojë ndodhi nën ndikimin e lëvizjes iluministe të Evropës Perëndimore, ku prinin mendimtarë si Volteri, Rusoi dhe Didroi me shokë.

Në qendër të Voskopojës nuk mungojnë vizitorët, edhe pse jo aq të shumtë në numër sa në ditë Krishtlindjesh. Ndërsa dielli ka rënë dhe errësira po bie pak nga pak, të gjithë shpërndahen në restorantet, baret dhe dyqanet e fshatit për të shijuar apo blerë prodhimet lokale.

Grupi niset secili në drejtimin e vet me kujtimet e përbashkëta të shtegut të karvaneve që transportonin edhe shkronja shqipe…./ATSH/ 

EMISIONET