Carl Jung dhe realiteti absolut, kur trupi, mendja dhe shpirti janë një

"Sipas gjitha gjasave, në realitetin absolut nuk ekziston diçka e tillë si trupi dhe mendja, por trup-mendja ose shpirti janë e njëjta gjë, e njëjta jetë, subjekt i të njëjtave ligje; dhe ajo që bën trupi, po ndodh edhe në mendje." Kështu do të përkufizonte C.G. Jung.
Ajo që ne e shohim si trup, mendje apo shpirt të ndarë, në fakt janë një e vetme. Ne e shohim veten në mënyrë të deformuar, jo ashtu siç jemi në të vërtetë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Realitetin Absolut të gjithçkaje. Asgjë nuk është e ndarë, por e gjithë jeta është e njëjta jetë.
Budistët thonë se ekzistojnë "2 të vërteta". Realiteti konvencional (zakonshëm) i përditshëm, në të cilin ne funksionojmë. Dhe pastaj është vetëdijësimi që vjen nga ndriçimi (iluminimi). Realiteti Absolut, në të cilin nuk ka një ego-vetvete të ngurtë e të përjetshme, por ku çdo gjë është e ndërlidhur dhe në një gjendje marrëdhënieje të rrjedhshme, do të thoshte Grant Lawrence.
Për ta dritpërshkuar në një tjetër dimension të këtij shtjellimi, vlen t'i hymë pak më thellë psikologjisë analitike dhe misticizmit lindor. Jungu nuk ishte thjesht një psikiatër, ai studioi gjerësisht Alkiminë, Budizmin dhe tekstet e lashta kineze (si Tao Te Ching).
Në Perëndim, që nga koha e Rene Dekartit, ne jemi rritur me idenë e "Dualizmit", mendja si diçka abstrakte dhe trupi si një makinë biologjike. Jungu e rrëzon këtë.
Sot, shkenca moderne, përmes psikonuoroimunologjisë, po vërteton pikërisht atë që Jungu thoshte, se stresi në mendje ndryshon kiminë e trupit, dhe një sëmundje fizike ndryshon gjendjen tonë emocionale.
Nuk ka "dhe". Ka vetëm një proces të vetëm jetësor që manifestohet fizikisht dhe psikikisht.
Jung përdorte një term latin, Unus Mundus (Një Botë), për të përshkruar këtë Realitet Absolut. Sipas tij, në nivelin e Pavetëdijes Kolektive, ajo pjesë e psikës që të gjithë njerëzit e ndajnë, kufijtë mes egos sate, egos sime dhe botës fizike fillojnë e zbehen. Sinkroniciteti, ato rastësitë e çuditshme kur mendon për dikë dhe ai të merr në telefon, është provë e këtij realiteti ku materia dhe mendja janë të lidhura.
Siç e përmend Lawrence, Budizmi flet për dy nivele të së vërtetës:
• E vërteta relative, kjo është tabela e shahut ku luajmë përditë. Unë jam unë, ti je ti, kjo makinë kushton kaq, ky faturë duhet paguar. Kjo e vërtetë është e nevojshme për të mbijetuar.
• E vërteta absolute, kjo është vala që kupton se nuk është thjesht një valë, por është i gjithë oqeani. Kur hiqet iluzioni i egos, i asaj që budistët e quajnë Anatta ose jo-vetvete, ne kuptojmë se jemi të ndër-varur. Ti nuk mund të ekzistosh pa ajrin që thith, pa tokën që të mban, pa diellin që të ngroh. Pra, ku mbaron ti dhe ku fillon bota?
Ne vuajmë sepse e marrim realitetin relativ, egon tonë, problemet tona të vogla, ndarjet, si të vetmin realitet absolut. Kur zgjohemi ndaj faktit që jemi pjesë e një rrjedhe të pandashme të jetës, frika nga izolimi dhe vdekja zbehet. Ti nuk je një vizitor në këtë univers, je universi duke u shprehur për pak kohë si njeri.
Përgatiti: Albert Vataj


