Bella dhe Marc Chagall, alkimia e dashurisë që sfidon gravitetin për të qenë qiellore dhe e pashpërbëshme

Historia e dashurisë mes Bella Rosenfeld dhe Marc Chagall nuk ishte thjesht një romancë njerëzore, ishte një simfoni metafizike. Kur u takuan në vitin 1909, nuk u takuan dy të huaj, por dy gjysma të një bote që priste të pikturohej në një përbashkim krijues si një sublimitet eter.
Bella, me inteligjencën e saj rrezatuese dhe prejardhjen nga një familje e kamur, pa tek Marcu jo djaloshin e varfër, por artistin që mund të "ngjyroste" shpirtin e saj, dhe të mrekullonte botën me ngjyra dhe formëzime ql drithëronin si shkrepëtima yjesh në shkëputjen nga tokësorja dhe të fluturten qiellore ku ngrente altare shenjtëria e zemrave të tyre.
Chagall shpesh thoshte se sytë e Bellës ishin si dritare drejt një bote tjetër, në mos si shastisje eterne që reflektonte në fuqinë e tij krijuese. Nëse shumica e njerëzve dashurojnë atë që shohin, Marc dashuronte atë që Bella e bënte atë të ndjente.
Ata nuk kishin nevojë për deklarata të bujshme, mjaftonte prania e saj që peneli i tij të lëvizte mbi telajo me një liri hyjnore.

"Unë nuk kisha nevojë të hapja dritaren, ajo ishte aty me mua. Një heshtje blu mbushte dhomën. Jashtë, qielli thërriste: 'Marc, eja dhe pikturo!'" — shkruante Chagall në kujtimet e tij.
Në kryeveprat si "Mbi Qytet" apo "Ditëlindja", ne shohim çiftin duke lundruar në ajër. Ky nuk është thjesht një stil artistik, është përshkrimi më i saktë i asaj që ti e quajte "dashuria që ofrohet me vullnet të lirë" dhe bekim hyjnor.
Kur njeriu dashuron pa kushte, pesha e realitetit, e zakonshmërisë dhe e mjerimit zhduket, duke marrë trajtë që sfidon realitetin dhe gravitetin.

Ata fluturojnë mbi shtëpitë e vogla të Vitebsk-ut sepse shpirti i tyre nuk i përket më tokës, por njëri-tjetrit dhe hyjnimit qiellor ku përjetimi shndërron vullnetin në krahë fluturues.
Kur Bella vdiq në vitin 1944, bota e Chagallit u bë bardhë e zi. Ai i ktheu të gjitha telajot mbrapsht dhe nuk preku penel me dorë për nëntë muaj. Dhimbja e tij ishte dëshmia se Bella nuk ishte thjesht një bashkëshortte, por oksigjeni i krijimtarisë së tij.
Megjithatë, pikërisht këtu ndodh mrekullia. Ajo nuk u zhduk. Ajo u "përthith" nga arti i tij, për të qenë në çdo penelatë fuqi ngjyre dhe shpërthim drite, thellësi përjetimi dhe përjetësi dashurie.

Edhe në pikturat që krijoi dekada pas vdekjes së saj, një figurë femërore me fustan të bardhë apo të zi shfaqet gjithmonë. Ajo u bë pjesë e vetëdijes së tij, një "gur i çmuar" i mbrojtur nga harresa brenda kështjellës së kujtesës.
Chagall e vlerësonte dashurinë si diçka ku rritesh. Ai nuk e "përdori" Bellën si modele. Ai u transformua përmes saj. Ai dëshmoi se kur dashuria është e pastër, ajo nuk zbehet me kalimin e kohës apo me vdekjen. Ajo ndryshon gjendje, nga një prezencë fizike, në një dritë udhëheqëse shpirtërore drejt dimensioneve eterne ku ndjenja nuk gjen prehje por shpërfaqje.
Historia e tyre na mëson se "kërkesat" mbi dashurinë janë të kota përpara magjisë së vërtetë të fuqisë së ndjenjave. Nuk ka rëndësi se si shprehet ajo, me ngjyra mbi kanavacë apo me heshtje gjatë një shëtitjeje. Rëndësi ka që ajo të jetë natyrshme dhe e lirë, ashtu si fluturimi i tyre mbi çatitë e botës.
"Në jetën tonë, ashtu si në paletën e një artisti, ka vetëm një ngjyrë që i jep kuptim jetës dhe artit, ngjyra e dashurisë" do të përkufizonte Marc Chagall.

Kjo madhështi gërshetoi dy botë që në dukje janë larg, por që bashkohen në të njëjtin altarin e shpirtit, epjen qiellore të Bella Rosenfeld dhe fluturimin poetik të Marc Chagall. Këtu dashuria shfaqet si forca supreme që mposht ligjet e fizikës dhe të biologjisë.
Nëse vështrojmë jetën e Bella Rosenfeld dhe artin e Marc Chagall, zbulojmë se dashuria nuk është thjesht një ndjenjë, por një formë e lartë e energjisë që transformon realitetin. Ata janë dy dëshmi të asaj "lënde jetësore" që nuk pranon kufizime, qofshin ato trupore apo kohore.
Përgatiti: Albert Vataj


