Angelo Massafra uron besimtarët për Fiter Bajram: Të krishterë dhe myslimanë, nxitës të dashurisë dhe miqësisë

Me rastin e Fiter Bajramit, një urim i veccantë për të gjithë besimtarët myslimanë vjen nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra.

Në letrën dërguar kreut të Komunitetit Musliman Shqiptar, Bujar Spahiu, Arqipeshkvi i Metropolit Shkodër-Pult thekson se me moton “Të krishterë dhe myslimanë: nxitës të dashurisë dhe miqësisë” të dy komunitetet do të luftojnë kulturën e urrejtjes dhe do të promovojnë një kulturë dashurie dhe miqësie me një edukim të shëndetshëm të brezave të ardhshëm në të gjitha hapësirat ku ata edukohen: në familje, në shkollë, në vendet e kultit dhe në mediat sociale.

MESAZHI I IMZOT ANGELO MASSAFRAS

Shumë i nderuar Z. Bujar Spahiu,

Kryetar i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë

Vëllezërve dhe motrave myslimanë!

Në emërin tim personal dhe në emër të Kishës Katolike në Shqipëri, ju uroj: GËZUAR festën e ‘ID AL-FITR-it, Bajramit.

Festa e Bajramit vjen pas agjerimit dhe lutjes që bëtë gjatë muajit të Ramazanit, i cili është i rëndësishëm për jetën e bashkësisë myslimane dhe uroj t’i ketë dhënë secilit një forcë të re në jetën shpirtërore personale, shoqërore dhe familjare, në këtë kohë të vështirë.

Dikasteri Papnor për Dialogun Ndërfetar ju shpreh të gjithëve ju urimet e tij më të mira me uratë dhe me përgëzime të përzemërta dhe sivjet Mesazhi e Tij ka si motoja: “Të krishterë dhe myslimanë: nxitës të dashurisë dhe miqësisë”:

“Ne do të luftojmë kulturën e urrejtjes dhe do të promovojmë një kulturë dashurie dhe miqësie me një edukim të shëndetshëm të brezave të ardhshëm në të gjitha hapësirat ku ata edukohen: në familje, në shkollë, në vendet e kultit dhe në mediat sociale.

Një botë ku mbretëron drejtësia, paqja, vëllazëria dhe begatia, kënaq të Gjithëpushtetshmin dhe dhuron gëzim, duke nxitur kështu angazhimin tonë të sinqertë dhe të përbashkët”.

Zoti i Mëshirshëm dhe i Gjithëpushtetshëm na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë, të dhembshurisë dhe të paqes dhe lusim për paqen në Ukrainë e në të gjithë botën.

​​​​PËRSHUMËVJET BAJRAMIN

Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqiperisë.

EMISIONET