Sot dita e fundit e Ramazanit, Rama uron besimtarët: Agjërim të pranuar të gjithëve
Në kremtim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe në respekt të traditës shumëvjeçare, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Ndërsa publikon pamje nga darkja e djeshme, përmes rrjeteve sociale, kreu i Qeverisë uron besimtarët muslimanë në ditën e fundit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
"MIRËMËNGJES, dhe duke i falënderuar të gjithë miqtë që na dhanë kënaqësinë e Iftarit të mbrëmshëm, ju uroj një ditë të mbarë me agjërim të pranuar të gjithë besimtarëve sot në ditën e fundit të muajit të bekuar", shprehet Edi Rama.
Në tryezën e shtruar në Pallatin e Kongreseve ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, ministra, deputetë, diplomatë të huaj, drejtues institucionesh, artistë, sportistë, mjekë etj.
Fjalën përshëndetëse e mbajti bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, e cila tha se, “në 1923 Këshilli i Naltë Mysliman i drejtohet kryeministrisë me një fletë për të lajmëruar themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Me postulatin dashuria për atdheun rrjedh nga besimi dhe me vendimin për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhën e liturgjisë islame, myslimanët shqiptarë kishin rrokur qysh në lindjen e tyre si komunitet një vizion paqeje në atdhedashuri dhe progres”.