Për herë të parë debatin në Këshillin Politik nuk e ndërpret opozita, por mazhoranca. Damian Gjiknuri nuk ka pranuar të diskutojë mbi dërgimin e një ekspertize drejt OSBE ODIHR ndërsa PD dhe LSI refuzojnë paketën e propozimeve të socialistëve.

Partia Demokratike refuzon të diskutojë draftin e PS për listat e hapura dhe kaolicionet, pa patur një ekspertizë të ODIHR-it.

Projekti i socialistëve dhe kërkesa e opozitës së bashkuar për t’iu drejtuar ndërkombëtarëve kanë mbetur pa u prekur më tavolinën e rrumbullakët të Këshillit, pasi Bylykbashi dhe Gjiknuri nuk arriten të gjejnë konsensusin.

Oerd Bylykbashi: “Marrëveshja e 14 janarit thotë se nëse konsensusi nuk arrihet Këshilli i drejtohet OSBE-ODIHR për ekspertizë dhe asistencë për të gjetur zgjidhe të pranueshme. Ne po kërkojmë gjetjen e një zgjidhje të pranueshme konsensuale. PS insiston të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakortësuar për 17 vjet deri me datën 23 korrik 2020. Për këtë mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga PS që përmes Këshillit ti drejtohemi OSBE-ODIHR. Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i mazhorancës. Sapo Gjiknuri të bjerë dakord vazhdojmë punën për çështjet e tjera. Por çështja për koalicionet që të ruhen ashtu siç janë sot në kodin zgjedhor me konsensus edhe me 23 korrik ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje ekspertizë nga OSBE-ODIHR” tha Bylykbashi, duke shtuar se Gjiknuri në mbledhje nuk kishte dhënë dakordësinë për t’iu drejtuar OSBE-ODIHR.

Petrit Vasili: “Bëhet fjalë për bojkotimin nga PS të marrëveshjes së 14 janarit dhe 5 qershorit. Kërkesa parimore e opozitës së bashkuar është një kërkesë që ndërton konsensus dhe dialog. Ne vazhdojmë të kemi durim që PS të mos bojkotojë në mënyrë të njëanshme dhe të shkatërrojë konsensusin e 14 janarit dhe 5 qershorit dhe të shënojë sëpaku një rekord të ri pozitiv përkundrejt ngjarjeve shumë të rënda të miratimeve të njëashme që ajo ndërmori me 30 korrik. Opozita po kërkon të ruajë këshillin nga bojkotimi i PS. Është momenti që PS të reflektojë, nuk ndryshon fatet elektorale të PS që janë pa kthim” tha Vasili.

Socialistët sot me një lëvizje surprizë kanë shkuar te propozimi i opozitës për hapjen e 100% të listave.

Bylykbashi shmangu komentin për këtë, por nënvizoi se opozita e bashkuar nuk lëviz nga qëndrimet e veta: “Koalicionet ruhen siç janë dhe listat realisht 100% të hapura”.

Pas tyre për komunikim me gazetarët doli Rudina Hajdari.

‘Rudina Hajdari: ‘Është një truk për të mbajtur listat e mbyllura. Të reflektojë Partia Socialiste me këtë propozim të fëlliqur.”

Më pas doli edhe përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri, ky i fundit për të mos u kthyer më në mbledhje.

Damian Gjiknuri: ”Partia Demokratike nuk do vazhdimin e kësaj tavoline, siç thotë populli, kërkojnë qiqra në hell. Nuk mund të kërkojnë ekspertizë kur akoma nuk kemi një produkt.”

Nuk jam i dashuruar me ato që kemi sjellur, se mund të kemi edhe ne defekte në ato që kemi shkruar. Nëse ata nuk vijnë, janë ngarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë që deri më 30 shtator do propozojë draftin ligjor, pasi vendi nuk mund të rrijë kushtetuese. Unë personalisht kam thënë që listat e hapura mund të sjellin tensione.

Tryeza vijoi diskutimet edhe për pak minuta mes përfaqësuesve të opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare.

Në mbyllje, Bylykbashi lëshoi këtë deklaratë.

Oerd Bylykbashi: “Jemi të gatshëm nëse PS reflekton të kthehemi në mbledhje që sot. Ose atë që ai refuzoi në mbledhje, duke u shprehur se nuk mund ti drejtohemi OSBE-ODIHR, ta sjellë si refuzim zyrtar”.

Ngërçi midis mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare qëndron te mënyra se si do të organizohen koalicionet paragjedhore.

Para nisjes së Këshillit Politik, kreu i Partisë Demokratike priti në selinë blu Ambasadorin e  Gjermanisë Peter Zingraf.

Pak ditë më parë, OSBE/ODIHR në përgjigje të kërkesës së Ora News u shpreh e gatshme të ofrojë ndihmën e saj nëse në Këshilli Politik do t’ia kërkojë.