17:51 – Joe Biden dhe Kamala Harris janë zyrtarisht presidenti dhe zv.presidenti i SHBA-ve.

Dy demokratët sapo janë betuar.

Ish zv.presidenti Biden bëhet kështu Presidenti i 46-të i SHBA-ve.

Ndërkohë që mahnitën me performancën e tyre Lady Gaga dhe Jennifer Lopez.
Menjëherë pasi bëri betimin Presidenti Joe Biden nënshkroi tre dokumente në Sallën e Presidentit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, akti i tij i parë zyrtar si presidenti i 46-të.

Presidenti Biden nënshkroi Deklaratën e Ditës së Inaugurimit dhe dokumentet për emërimet në pozicionet e drejtuesve në kabinetin qeveritar.

Nënshkrimet janë pjesë e premtimit të tij të fushatës për të zhbërë shumë nga veprimet e ish-Presidentit Donald Trump gjatë katër viteve të fundit duke nënshkruar një seri urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë në detyrë, citon Voa.

Në një deklaratë të mërkurën, 20 janar 2021 ekipi i tranzicionit i Presidentit Biden tha se disa nga ato çështje përfshijnë menaxhimin e krizës së koronavirusit, emigracionit dhe ndryshimet klimatike.

Lexo dhe: Nuk mori pjesë në inaugurim por Trump i ka lënë një letër Biden

17:52 – Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë sot rreth orës 18:00 (me orën tonë lokale) betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke marrë drejtimin e vendit në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.

Biden mori pjesë sot paradite në shërbesa fetare në Katedralen e Shën Mateos në Washington, pak orë para ceremonisë së inaugurimit, ndërsa pak minuta më parë ai ka mbërritur në Capitol Hill për inaugurimin.

Demokratët Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, si dhe republikanët Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy shoqëruan presidentin e zgjedhur në meshë.

Në kohën kur filloi shërbesa fetare, presidenti në largim, Donald Trump, ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe po udhëtonte drejt Floridës.

Lexo edhe:

Donald Trump lë Shtëpinë e Bardhë

Trump bëhet kështu presidenti i parë amerikan në më shumë se 150 vjet që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij.

Para marrjes së detyrës, Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën rreth 400 mijë qytetarëve në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.

Ai më vonë u zotua të “fillojë menjëherë nga puna” pasi të jetë betuar, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb“.

Në ceremoninë e inaugurimit pritet të marrin pjesë tv/presidenti në largim, Mike Pence, ish presidenti Barack Obama me gruan e tij Michelle, ish presidenti George W. Bush me gruan e tij Laura dhe ish presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.

Në ceremoninë e inaugurimit do të mungojë turmat e zakonshme prej qindra mijëra pjesëmarrësve që shtrihen nga Capitol Hill e përgjatë shëtitores kombëtare.

Në vend të tyre janë vendosur 200 mijë flamuj të Shteteve të Bashkuara.

Lexo edhe:

Inagurimi i Biden do të jetë ndryshe, ja me çfarë do zëvendësohen mbështetësit

Joe Biden mposhti republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 3 Nëntorit 2020. Dita e zgjedhjeve dhe ato në vazhdim u karakterizuan nga akuza të forta të Trump për keqmenaxhim dhe manipulim të votave në disa shtete, ndërsa ngjarjet kulmuan këtë janar kur një turmë protestuesish u fut në Capitol Hill duke lënë pas 5 viktima.

Pas kësaj, llogaritë e Donald Trump në Facebook dhe Twitter u bllokuan.

Vendimet e para

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka në plan të nënshkruajë dhjetëra urdhra ekzekutivë për të përmbysur disa nga vendimet e presidentit, Donald Trump mbi migracionin, ndryshimin e klimës si dhe për të shtuar përgjigjen e qeverisë ndaj krizës së koronavirusit.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020, ndërsa rrjetet kryesore të lajmeve në SHBA parashikuan një fitore të Bidenit, ai iu drejtua mbështetësve dhe u premtoi se do të përpiqet ta bashkojë një vend të ndarë.

“Unë zotohem se do të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Që nuk i sheh shtetet e kuqe (republikane) dhe shtetet e kaltra (demokrate), por i sheh vetëm Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden.

Kush është Joe Biden?

Biden ka shërbyer në politikën amerikane prej gati 50 vjetësh. Për dy mandate ai shërbeu si nënpresident i Presidentit Barack Obama.

Para kësaj, votuesit e Delawerit e zgjodhën atë gjashtë herë në senatin amerikan.

Një muaj pas zgjedhjes së tij për herë të parë, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë që la dy djemtë e tij të vegjël të plagosur rëndë.

Senatori Biden udhëtonte me trenin Amtrak për 90 minuta çdo natë nga Washingtoni për në Delawer për të qenë pranë djemve. Ndërsa stacioni i trenit Amtrak në Willmington mban emrin e tij.

Biden ka bërë dy operacione në tru për shkak të aneurizmit. Në vitin 2015, kur ishte nënpresident, djali i tij i madh Bo vdiq nga kanceri në tru.

Biden dhe gruaja e tij, Jill, profesore kolegji, jetojnë në Willmington të Delawerit, një qytet me 70,000 banorë, ndërsa nga sot familja Biden do të vendoset në Shtëpinë e Bardhë.

Zv.presidentja e SHBA do të jetë Kamala Devi Harris, një senatore e cila ka përfaqësuar Kaliforninë në Kongresin Amerikan që prej vitit 2017.

Kamala Harris

/a.r,OraNews