Policia e Vlorë ka vënë në pranga autorin e dytë të dyshuar për kontrabandimin e 50 migrantëve nga vendet e treta, në drejtim të Italisë një javë më parë.

I arrestuari është Qazim Ismailaj, 31 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në banesën e tij në fshatin Trevllazër, shtetasit e huaj emigrantë që kishin ardhur nga Tirana, të cilët do të largoheshin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit italian, më datë 8 janar 2021.

Vijojnë intensivisht veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më herët policia ka arrestuar Fatos Dushën, i cili gjithashtu i kishte strehuar në hotelin e tij në Tiranë emigrantët përpara se të niseshin drejt Vlorës.

55 emigrantë nga vende të ndryshme të lindjes së mesme u shpëtuan mbrëmjen e 8 Janarit pasi mbetën të bllokuar për më shumë se 3 orë në mes të detit.

Autoritetet shqiiptare u njoftuan për mes një telefonate, ndërsa dështimi për të vënë në pranga tre skafistët ka ngritur dyshime se ata u ndihmuan nga persona në strukturat e përfshira në aksion, ose mund të kenë patur një tjetër mjet me të cilin janë larguar.