Vrasja e Shkëlzen Kastratit, njëri nga vrasësit, vëllai i Hektor Xheçukës

Policia e Fierit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona nga Fushë-Kruja dhe Kamza, si personat që janë paguar dhe kanë kryer vrasjes e Shkëlzen Kastratit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin Janar 2021 në Fier.
Njëri nga personat e kërkuar për këtë vrasje dhe që ka dyshime të jetë qitësi, është pikërisht Elson Xheçuka nga Kamza, i cili sipas policisë rezulton të jetë vëllai i Hektor Xheçukës, që u arrestua në vitin 2018 dhe më pas u lirua nga burgu në Prill 2019, si person i dyshuar në vrasjen e shtetasit Emiljano Boci.
Katër personat, Albert Zaja, Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvio alias Roland Cara, besohet se janë paguar nga individë të tjerë në Fier, me qëllim ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit.
Të katër persona kanë pasur detyra të ndara në këtë atentat, ku dy i janë afruar me makinën tip “Range-Rover”, objektivit Shkëlzen Kastrati.
Ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar në dalje të Fierit me një makinë tjetër, në pritje për të ardhur me shpejtësi dy njerëzit që kanë qëlluar mbi Kastratin.
Ky i fundit është qëlluar nga një distancë e afërt dhe sipas burimeve të policisë, njerëzit që kanë hapur zjar, janë Elson Xheçuka nga Kamza dhe Albert Zaja nga Fushë-Kruja.
Tashmë të katër personat janë shpallur në kërkim, ndërkohë kujtojmë se dy prej personave sipas burimeve të policisë, janë pjesë e një grupi kriminal të fuqishëm që vepron në Tiranë.
Lexoni këtu të gjitha lajmet për Shkëlzen Kastratin
Njoftimi i policisë
Zbardhet dhe dokumentohet me prova vrasja e shtetasit Sh. K., ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
• A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;
• E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
• S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.
Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.
