Zhvlerësimi i euros para zgjedhjeve, Ibrahimaj: Ndikoi turizmi dhe investimet e huaja

Monedha evropiane vijon rënien pa ndalim. Madje duket se nuk do të ketë masë për të frenuar këtë fenomen.

Për ministren e Financave Delina ibrahimaj, shkak nuk është paraja informale dhe as situata zgjedhore.

“Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë vitit 2022. Kemi pasur gjatë vitit 2022 një sezon turistik të lartë dhe me një fluks turistësh që ka qenë më i larti i të gjitha kohërave. Kjo ka bërë që hyrjet e kapitalit të jenë më të larta dhe kjo është reflektuar në bilancin e pagesave. Nga ana tjetër edhe investimet e huaja direkte neto janë rritur dhe kjo ka qenë një tjetër arsye që ka ndikuar në vlerësimin e monedhës vendase dhe në zhvlerësimin e euros. Pra flukset hyrëse të monedhës kanë qenë në rritje të ndikuara dhe nga rritja e turizmit, investimeve të huaja direkte, por dhe nga rritja e remitancave”, deklaroi Ibrahimaj, në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas saj, paraja informale në treg ekziston dhe kjo është e pranuar edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë, por kjo situatë nuk lidhet me fushatën elektorale.

“Paraja informale ekziston, Banka e Shqipërisë ka një matje dhe një indikator për paranë jashtë bankave, edhe nuk është i lidhur me fushatën elektorale dhe nuk ka një element shtesë këtë vit”, shtoi ajo.

Sa i përket apelit të eksportuesve se po pësojnë humbje për shkak të forcimit të parasë, edhe në këtë pikë Ibrahimaj mendon të kundërtën.

“Kursi i këmbimit i lirë në krizat e njëpasnjëshme që na është dashur të kalojmë ka qenë element kyç për ekonominë shqiptare, pasi është stabilizues i të gjitha goditjeve që kemi pasur. Nëse do të shikojmë performancën e ekonomisë shqiptare me atë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka një performancë shumë të mirë dhe një nga elementët ka qenë pikërisht tregu i lirë. Por, ne po analizojmë me shumë kujdes ndikimet. Nuk preken vetëm kompanitë eksportuese, por edhe ato investuese që kanë kredi në euro. Ka një sërë kompanish të tjera që operojnë në treg dhe i kanë kreditë në lekë“, deklaroi ministrja.

Sa i përket problemit të emigracionit të lartë, Ibrahimaj ka prezantuar skemën për mbështetjen e të rinjve.

”Kjo është një politikë që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune më cilësore, për të rritur standardin e ofertës së punës. Oferta e punës, tregu i punës dhe konkurrueshmëria e vendit nuk mund të varet më nga kostoja e lirë punëtore, por duhet të lidhet me aftësitë e tregut të punës në vend”, deklaroi Ibrahimaj.

Në Shqipëri këtë të enjte një euro blihej me 110.7 lekë e shitej me 111.3. Në dy dekadat e fundit, ka qenë gushti i vitit 2005 dhe janari i 2008 që shënuan rënien e eruos në nivelin e 121 lekë por sërish shumë larg situatës aktuale.

delina ibrahimaj zhvlerësimi i euros

EMISIONET