Vota me zift/ Asfalt elektoral edhe në Dibër para zgjedhjeve, Bashkia skualifikon ofertën më të mirë
Tenderët për asfalt elektoral nuk kanë munguar as në Bashkinë e Dibrës dhe përpos kësaj fituesit shpallen duke cënuar garën. E njëjta metodë është ndjekur edhe në prokurimin prej 323 mijë euro për asfaltimin e një rruge, ku kompania që kërkoi më pak para për të kryer punën është skualifikuar nga gara.
Tenderët për asfalt elektoral të dhënë duke cënuar garën e drejt nuk mungojnë as në Bashkinë e Dibrës. Në dhjetor të vitit të shkuar, institucioni që drejtohet nga Rrahim Spahiu ka mbyllur procedurat për asfaltimin e rrugës Ura e Luznisë deri tek kryqezimi i rrugës së fshatit Lishan me fshatin Hotesh, ndërsa punimet do të duhej të përfundonin brenda 4 muajve afat që përko me pragun e zgjedhjeve vendore.
Në prokurimin me vlerë 323 mijë euro kanë marrë pjesë 4 kompani dhe oferta më e mirë është skualifikuar nga gara. Fitues është shpallur subjekti “COMPANY RIVIERA 2008” e cila kishte kërkuar sa 83% e vlerës së tenderit për të realizuar punën, si dhe ishte renditur si oferta e dytë me e mirë në garë.
Operatori i skualifikuar “S.M.O.UNION” kishte kërkuar 4 mijë euro më pak se kompania fituese, por nuk ka plotësuar kriteret e tenderit të vendosura nga autoriteti prokurues. Sipas Bashkisë Dibër, kompania në fjalë në dokumentet e dorëzuara si punë të ngjashme që ka kryer, nuk ka vulën nga ana e investitorit.
Por në shqyrtimin e bërë nga ana e platformës “Open Procurment”, tenderi është sinjalizuar me “Flamur të Kuq” me arsyetimin e skualifikimit të padrejt të konkurrentëve. Ndërsa ky është një tjetër rast se si bashkitë vijojnë të bëjnë prokurime duke cënuar konkurrencën.