SKANDAL/ Elona Hoxhaj tenton t’i “mbyllë gojën” Tv Ora News
Jo vetëm institucionet që shpërdorojnë miliona euro nga lekët e taksapaguesve shqiptarë kanë filluar të jenë hermetikë me Tv Ora News, duke mos dhënë informacionin që e kanë detyrim ligjor. Por për të thelluar abuzimin me detyrën dhe pushtetin shihet se në krah të paligjshmërisë vendoset edhe Elona Hoxhaj, Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit.
Tv Ora News i ka dërguar ankesë Komisionerit në lidhje me një institucion i cili nuk i ka vënë ne dispozicion informacionin e kërkuar.
Më shumë se institucionet që heshtin, pasi shpërdorojnë miliona euro na ka çuditur përgjigjia e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili ka si qëllim nxitjen e transparencës së autoriteteve publike.
Për t’i “mbyllur gojën” Televizionit Ora News, Komisioneri “shpik” një klauzolë ku thuhet se ankesës i mungon akti i përfaqësimit i lëshuar nga Administratori i Tv Ora News. Avokatja Adriana Kalaja shprehet se kjo kërkesë jo vetëm që nuk është e bazuar në ligj, por është e padëgjuar në historinë e medias.
Adriana Kalaja, Avokate: “Në historinë time për kaq kohë që punoj në sistemin gjyqësor, është rasti i parë që unë bie në kontakt me një informacion të tillë se Komisioneri kërkon nga gazetarët një autorizim përfaqësimi. Unë besoj se jemi përpara konsumimit të një vepre penale të “shpërdorimit të detyrës”. Por nga ana tjetër, unë vlerësoj se insistimi për të mos dhënë një informcion të tillë ka të bëjë së pari me mbrojtjen që Komisioneri po i bën jo të drejtës për informimin, por mbylljes së një problemi të caktuar që mund të lidhet me korrupsionin, vjedhjen, me abuzimin e fondeve, etj., etj”.
Në tentativë për t’i dhënë karakter ligjor, Komisioneri shprehet se këtë kërkesë e bazon në nenin 24 të ligjit “Për të Drejtën e Informimit”.
Nëse lexojmë nenin 24 të këtij ligji, nuk citohet në asnjë moment se gazetari duhet të ketë një akt përfaqësimi nga Administratori i TV.
Adriana Kalaja, Avokate: Kjo tregon që ata janë edhe të pa përgatitur. Pra, minimalisht nuk lexojnë as dispozitat ligjore. Ligji “Për të Drejtën e Informimit” në asnjë pikë nuk përcakton përfaqësimin me prokurë apo me autorizim. Administratori nuk mund të japë një autorizim që gazetari të bëjë punën e tij. pra, është njësoj sikur kryetari i gjykatës për çdo çështje duhet t’i japë autorizim gjyqtarit të zgjidhi atë çështje".
Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Në ditët në vijim Tv Ora News do të publikojë fakte se si drejtoresha Elona Hoxhaj shpërdoron detyrën dhe vepron me dy standarde.