Strehimi social, zv.ministrja: Mbështetje në strehim të rinjve dhe profesionistëve të administratës

Strehimi social, zv.ministrja: Mbështetje në strehim të rinjve

Komisioni për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani e cila paraqiti pr/ligjin në komision, bëri të ditur se këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e konkluzioneve të analizës së zbatimit të ligjit, e cila evidentoi disa mangësi, apo problematika procedurale.

“Mbështetja e të rinjve dhe familjeve të reja dhe profesionistëve në administratën publike është një zgjidhje që po i japim njërës prej sfidave të kohës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e BE-së, atë të largimit të shtresës së mesme dhe përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike, duke krijuar mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe që kontribuojnë në ekonominë e vendit”, tha Manjani.

Lidhur me sistemin e digjitalizimit të strehimit, ligji ka pësuar disa ndërhyrje.

Sipas zv/ministres Manjani, ndryshimet mundësojnë nxjerrjen e një akti nën ligjor që do të përcaktojë procedurën e paraqitjes së kërkesës online dhe rolet e përdoruesve, si edhe procedurën e miratimit, duke e bërë të gjithë procesin transparent, ashtu sikundër ngritjen online të bazë së të dhënave të strehimit për Republikën e Shqipërisë.

Në ligjin e ri parashikohen edhe masa administrative.

Manjani u shpreh se masat administrative që janë parashikuar në ligj nuk ekzistonin më parë dhe synojnë të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë në zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore.

Masat administrative i referohen strukturave zbatuese të parashikimeve ligjore, të cilat janë në nivelin e vetëqeverisjes vendore.

“Këto ndërhyrje garantojnë bashkëpunim më të mirë mes qeverisjes vendore dhe qendrore, monitorimin nga qeverisja qendrore të zbatimit të programeve të strehimit social, si dhe zbatimin e sanksioneve administrative për mosrespektimin e dispozitave të ligjit, si masa që synojnë forcimin e zbatimit të tij, dhe llogaridhënie për zbatimin e programeve të strehimit social në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, tha ajo.

Zv/ministrja theksoi se ndryshimet parashikojnë ndër të tjera edhe përmirësimin e procedurave duke bërë të mundur lehtësimin e procedurës për aplikim për strehim për ata që nuk kanë akses ose njohuri në përdorimin e teknologjisë e informacionit, shërbim të cilin e marrin pranë zyrave me një ndalesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore; sigurimin e dokumentacionit online nga njësia e vetëqeverisjes vendore për personat me aftësi të kufizuara apo dhe familjeve pa të ardhura; lidhjen e kontratës jo detyrimisht përpara noterit, por në prani të punonjësit të NJVV-së; rregullim i procedurave në rastet e emergjencës, për të shmangur afatet që kërkohen për shqyrtimin dhe miratimin e përfituesve; zgjatja e afatit pa limit kohor për kategorinë e minoritetit Rom për diskriminim pozitiv në trajtimin me strehim.

Ligji i ri parashikon edhe qartësimin e mënyrës së llogaritjes së qirasë për banesat sociale në funksion të subjektit dhe formës që sigurohet banesa. Kjo krijon mundësi që edhe subjekte private të kenë interes për të hyrë në biznesin social të banesave sociale me qira, por njëkohësisht përcakton edhe një kufi për nivelin e qirasë në treg që mund të subvencionohet nga bashkia dhe/ose buxheti i shtetit.

Ligji hapet edhe për të gjithë punonjësit e administratës, por përparësitë për kategori të veçanta do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa numri i përfituesve do të rakordohet me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, bazuar në buxhetin që do të alokohet.

Njëkohësisht në ligjin e ri si përfitues përfshihen edhe familjet e mjekëve që kanë dhënë jetën në krye të detyrës gjatë pandemisë COVID-19, si përfitues të grantit të menjëhershëm, në rastet kur përfitojnë kredi të lehtësuara.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka propozoi që si përfitues të përfshihen edhe kategoritë e miratuara në ligjin “Për fëmijët e Republikës”.

Nga viti 2014 deri më 2020 fondet në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar dhe, konkretisht janë shpërndarë rreth 3.3 miliardë lekë, për strehimin e 12 750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara. Gjatë mandatit të tretë, përfshirë edhe vitin 2023, janë shpërndarë rreth 2 miliardë lekë dhe janë planifikuar të shpërndahen 2.4 miliardë lekë të tjera deri në vitin 2025, për strehimin e rreth 13 900 familjeve.

Në vitin 2013 ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej mbi 300 milion lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihap përsëri programi duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar 1150 familje dhe janë në proces edhe 1500 familje të tjera.

EMISIONET