Shallari: Anëtarësimi në BE, mundësi e re për fermerët shqiptarë

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Seit Shallari, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, u ndal te ndikimi që do të ketë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian për sektorin e bujqësisë.
Gjatë intervistës, Shallari shpjegoi se një nga politikat më të rëndësishme dhe më të hershme të Bashkimit Evropian është Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP – Common Agricultural Policy), e krijuar që në vitet ’60 me synimin për të garantuar prodhimin e ushqimit për vendet evropiane pas periudhës së pasluftës.
Sipas tij, kjo politikë ka arritur objektivat e saj fillestare, duke bërë që Evropa jo vetëm të sigurojë ushqim për popullsinë e saj, por edhe të eksportojë produkte bujqësore.
Ndërkohë, CAP është zgjeruar dhe mbështetet nga fonde të konsiderueshme, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë evropiane në tregjet globale.
Ai theksoi se, megjithëse pesha e bujqësisë shqiptare në raport me atë evropiane është e vogël, Shqipëria do të bëhet pjesë e zinxhirit të sigurisë ushqimore të gjithë hapësirës së Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, sipas tij, vendi duhet të përshtatet me standardet dhe qasjet që aplikohen në BE.


