Safet Gjici “lule” për vota/ Bashkia e Kukësit tender në prag fushate, skualifikon 3 ofertat më të “mira” për rikonstruksionin
Bashkia Kukës do të fillojë punimet për rehabilitimin e pallatit dhe lulishtes në lagjen Gostil në periudhë fushate. Për më tepër tenderin e ka fituar subjekti me që kishte ofertën e katërt më të arsyeshme dhe që kërkoi sa 99.5% të vlerës për të kryer punën. Ndërsa 3 ofertat më të mira janë skualifikuar nga gara.
Rehabilitimi i lagjeve të qytetit në periudhë fushate nuk mungojnë as në Bashkinë e Kukësit e për më tepër tenderimi bëhet duke cënuar garën. Ditën e premte është lidhur kontrata për rikonstruksionin e pallatit dhe lulishtes në lagjen Gostil.
Në relacionin teknik thuhet se gjendja ekzistuese e ndërtesave lulishtes dhe trotuarave të zonës janë amortizuar dhe nuk i janë nënshtruar asnjëherë procesit të rikonstruksionit që nga ndërtimi i tyre. E për këtë kreu i Bashkisë Safet Gjici, pas 4 vitesh në krye të këtij institucioni vendos që të bëjë ndërhyrje në këtë zonë.
Në tenderin që do të shpenzohen 182 mijë euro kanë marrë pjesë 5 kompani. Tre ofertat më të arsyeshme janë skualifikuar nga gara për të shpallur fitues subjektin “Marsi”, i cili kishte kërkuar sa 99.5% të vlerës së tenderit për të realizuar punimet për 4 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.
Ndërkohë nga kompanitë e skualifikuara janë “Sardo” me 13 mijë euro dhe “Zeqillari” me 31 mijë euro më pak se fituesi për të kryer punën. Por që sipas Bashkisë Kukës, këto subjekte nuk kanë plotësuar kriteret e vëna në tender.