Rritja e rrogave po i “prish mendjen” të rinjve, Hasalla: Ja profesionet që po i ndalojnë të ikin nga Shqipëria
Rritja e vazhdueshme e pagave në sektorin publik dhe privat po shndërrohet në një faktor kyç për të joshur të rinjtë që të qëndrojnë dhe të ndërtojnë karrierën e tyre në Shqipëri. Pavarësisht sfidave ekzistuese, tregu i punës po ofron kushte më tërheqëse, duke krijuar një atmosferë optimizmi për të ardhmen.
Sipas ekspertes së tregut të punës, Gertjana Hasalla, paga mbetet elementi kryesor dhe numër një në vendimmarrjen e çdo individi, pavarësisht moshës.
Në studion e “Ora Neës”, Hasalla u shpreh se kjo rritje ndihmon në përballimin e kostos së jetesës, e cila mbetet e lartë, duke përfshirë shpenzimet për shportën ushqimore, karburantin apo arsimimin.
Edhe pse paga mund të mos jetë ende 100% e mjaftueshme, ajo po bëhet një shtysë e rëndësishme për të punuar dhe jetuar në vend.
Disa sektorë po përjetojnë një rritje të jashtëzakonshme, duke krijuar mundësi të arta punësimi. Fusha e teknologjisë, turizmi dhe mikpritja janë në krye të listës.
Megjithatë, “bumi” i ndërtimeve, veçanërisht në Tiranë dhe në bregdet, ka krijuar një kërkesë të paprecedentë për profesionistë specifikë. Inxhinierët e ndërtimit, arkitektët dhe dizajnerët e interierëve (interior designers) janë ndër profesionet më të kërkuara aktualisht. Të gjitha ndërtesat e reja, komplekset dhe kullat kërkojnë ekspertizën e tyre, çka përkthehet në paga të larta dhe siguri në punë.
Nga ana tjetër, konkurrueshmëria dhe barazia e mundësive mbeten një sfidë.
Çështja e meritokracisë, sidomos në administratën publike, është shpesh në qendër të diskutimeve. Vërehet se proceset e rekrutimit jo gjithmonë bazohen te merita, duke e bërë më të vështirë për të rinjtë që mbështeten vetëm te CV-ja dhe diplomat e tyre.
Procedurat shpeshherë janë tepër burokratike dhe të komplikuara, ose në raste të tjera, rregullat nuk respektohen, duke lënë hapësirë për faktorë të tjerë jo-meritorë në procesin e punësimit.
PJESË NGA BISEDA NË STUDIO
Kjo rritja e vazhdueshme e rrogës dhe në sektorin publik dhe në sektorin privat, po bëhet më e tërheqshme për të rinjtë që të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe të punojnë këtu. Sigurisht që nuk është e lehtë, patjetër që ka edhe probleme, por ne po shikojmë hapa pozitivë dhe ky hap pozitiv është i mirë për të gjithë vendin dhe për të gjithë ekonominë dhe jo vetëm për të rinjtë, patjetër.
Pra e paskemi një mënyrë joshje për t'i mbajtur të rinjtë në Shqipëri...
Shqipëria po shndërrohet. Së pari është pagesa. Pagesa është gjithmonë numër një për secilin prej nesh, jo vetëm për të rinjtë, po për secilën prej grupmoshave, sepse pagesa na dikton dhe mënyrën e jetesës. Nuk është një pagesë që është 100% e mjaftueshme, sepse duke parë kostot e jetesës në Shqipëri, duke përfshirë këtu shportën e jetesës, naftën, arsimin, edukimin e çdo gjë tjetër, ëh nuk është gjithmonë e lehtë që të përballojmë atë kosto jetese që kemi. Por të rinjtë, sidomos ato që angazhohen tashmë në fusha të cilat kërkohen në treg dhe flasim për teknologjinë, flasim për ndërtimin, inxhinierët e ndërtimit kërkohen shumë, flasim për turizmin dhe mikpritjen në përgjithësi. Të gjitha këto profesione, të gjitha këto dega kanë pagesa të mira, të cilat të nxisin të qëndrosh më shumë në vend dhe të punosh këtu.
Inxhinierë ndërtimi kërkohen për t'u studiuar apo kërkohen në tregun e punës sot, edhe më shumë?
Tregu i punës kërkon shumë. Sidomos me bumin e ndërtimeve që ka në Shqipëri, qoftë kjo në Tiranë po edhe në gjithë bregdetin dhe në zona të tjera, tregon që ka nevojë për inxhinier ndërtimi, tregon që ka nevojë për arkitektë të mirë, të saktë, dhe ka nevojë për atë që quhen interior designs, pra arkitektët që merren me dizajnimin e brendshëm. Dizajnimin e brendshëm. Sepse të gjitha ndërtesat e reja, të gjitha kullat, të gjitha komplekset që po ndërtohen, të gjitha do kenë nevojë për këto profesione dhe kërkojnë edhe sot këto profesione që të çohen përpara dhe të përfundohen të gjitha ndërtimet që janë duke u bërë tashmë. Çka do të thotë që tregu i kërkon, çka do të thotë që rroga për to është një rrogë e lartë.
Dhe bën shumë mirë që është e lartë. A ka sot tregu i punës hapësira ndoshta edhe për konkurrueshmëri, për të ofruar ndoshta edhe një garë të barabartë?
Konkurrueshmëria është gjithmonë në dyshim në Shqipëri sepse shpeshherë lidhet me meritokracinë. Pra, a është e drejtë kjo konkurs që ne po bëjmë me njëri-tjetrin? A jemi në faza të drejta? A është mënyra se si ne merremi në punë, rekrutimi jonë i drejtë apo jo? Pra, është bërë në bazë të meritokracisë apo është bërë në bazë të faktorëve të tjerë? Sidomos për shembull, kur flitet për administratën publike, çështja e meritokracisë dhe e marrjes në punë është gjithmonë një çështje në diskutim. Sepse shumë shpesh thuhet dhe ka dhe fakte që e provojnë që nuk është gjithmonë e bërë në bazë të meritokracisë rekrutimi në administratën publike. Dhe është pak më e vështirë për t'u aksesuar nga ato të rinj që nuk përdorin mënyra të tjera ose faktorë të jashtëm për t'u marrë në punë, por zgjedhin ta bëjnë këtë nëpërmjet CV-së së tyre, diplomës së tyre, duke ndjekur një procedurë të saktë rekrutimi. Ndodh shpesh për shembull që procedurat e rekrutimit ose janë shumë burokratike, shumë të gjata, shumë të komplikuara për të hyrë në administratën publike, ose ndonjëherë nuk respektohen fare çështjet burokratike.


