Përtej agjërimit nga ushqimi, Luli: Ja cili është mesazhi i vërtetë i Ramazanit

Me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Fiter Bajramin, duke kurorëzuar një periudhë intensive sakrifice, reflektimi dhe devotshmërie. Por cila është rëndësia e vërtetë e këtij muaji dhe si ndikon ai në jetën e përditshme të një besimtari? Në një intervistë, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, shpjegon se thelbi i Ramazanit shtrihet shumë më thellë sesa thjesht abstenimi nga ushqimi dhe pijet.
Sipas Lulit, Ramazani është një nga momentet më të rëndësishme shpirtërore, një periudhë ku besimtari shkëputet nga rutina dhe materializmi i përditshmërisë për t'iu përkushtuar anës shpirtërore dhe forcimit të lidhjes me Zotin. Ky muaj konsiderohet si një "shkollë e madhe" që kultivon virtytet dhe moralin.
"Thelbi kryesor i këtij muaji është lënia mënjanë e veseve, e thashethemeve, fjalëve të këqija dhe sjelljeve jo të dëshiruara," thekson Luli. Ai sqaron se vetë profeti Muhamed ka thënë se Zoti nuk ka nevojë për agjërimin e atij personi që nuk e frenon veten nga veprat e këqija. Pra, agjërimi fizik është vetëm ana më sipërfaqësore; sfida e vërtetë është pastrimi moral dhe etik.
Një tjetër dimension thelbësor i Ramazanit është solidariteti dhe ndjeshmëria sociale. Nga tryeza e syfyrit (mëngjesi para agimit) e deri tek iftari (vakti i mbrëmjes), besimtarët motivohen të ndajnë ushqimin me të tjerët. Ky muaj kulmon me dhënien e "sadakasë së fitrit", një lëmoshë e detyrueshme që siguron që edhe familjet në nevojë të kenë mundësi të festojnë Bajramin.
Si pasojë, jeta e besimtarit transformohet. "Njerëzit gjatë këtij muaji bëhen më solidarë, më humanë, më të ndjeshëm ndaj shoqërisë dhe shtresave në nevojë, si dhe më tolerues," pohon Luli. Kështu, Ramazani nuk është thjesht një muaj sakrifice individuale, por një periudhë që forcon lidhjet komunitare dhe promovon vlera universale, mesazhe që synojnë të reflektohen në jetën e besimtarëve gjatë gjithë vitit.
PJESE NGA BISEDA NE STUDIO
Absolutisht muaji i Ramazanit është, ndoshta nga momentet më të rëndësishme për të gjithë besimtarët myslimanë, sepse është një periudhë, jo e shkurtër, ku besimtari gjen mundësinë që t'i përkushtohet anës së tij shpirtërore, duke u shkëputur sadopak nga ajo fizika apo nga rutina e përditshme dhe gjatë gjithë muajit, besimtari mundohet që të shfrytëzojë çdo moment për t'ju përkushtuar besimit ndaj Zotit dhe me anë të kësaj të kultivojë virtytet të cilat ndoshta në kohëra të tjera edhe mund të neglizhohen, mund të anashkalohen dhe pikërisht duke u frymëzuar nga besimi, duke u frymëzuar pikërisht nga nënshtrimi me këto adhurime, siç është adhurimi i agjërimit apo dhe edhe obligime të tjera, besimtari gjen pikërisht atë strehën ku mund të përkushtohet më tepër në përfitimin, në mbartjen dhe në jetësimin në jetën e tij të disa virtyteve dhe lënies së veseve me një anë.
Dhe pikërisht kjo e bën besimtarin që të kërkojë gjithmonë atë muajin e begatë të Ramazanit. Dhe siç e përmenda, nuk është një periudhë e shkurtër, nuk është një moment, por është një muaj i tërë në të cilën besimtari çdo ditë angazhohet dhe insiston që të ta arrijë virtytet e nevojshme në këtë muaj.
Janë këto mesazhet kryesore që Ramazani përçon dhe përcjell përgjatë gjithë muajit?
Absolutisht. Në qoftë se do të shikoni mënyrën, angazhimin e besimtarit nga mëngjesi në mbrëmje ose 24 orë, do të shikoni që edhe vetë planifikimi dhe programimi i ditës është vazhdimisht përçues, pra çdo moment i këtij muaji është në një farë mënyre përçues i disa mesazheve.
Ngrihesh në mëngjes, bën syfyrin, ai ajo është tryeza e cila duhet të ndarë me të tjerët. Gjatë ditës, profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë, Zoti nuk ka nevojë që ju të qëndroni pa ngrënë dhe pa pirë, në qoftë se ju nuk frenoni veten tuaj nga veset, nga thashethemi, nga fjalët, nga punët dhe veprat jo të duhura.
Dhe në mbrëmje dhe tryeza e iftarit thotë është një prej dy gëzimeve të besimtarit në këtë botë. Dhe në fund të Ramazanit, duhet dhënë patjetër lëmosha që bën të mundur që të përjetojnë edhe ata të cilët janë në nevojë të festojnë Bajramin. Të gjitha këto janë ato mesazhe të cilat Ramazani faktikisht na i sjell dhe i reflekton.
Në fund të Ramazanit po përgjatë? Është e njëjta gjë?
Pra siç e përmenda, është nga punët dhe veprat që gjithmonë besimtari motivohet, është që të shtrojë tryeza iftari dhe syfyri për besimtarët. E qartë. Bile profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë, nëse ti ja bën të mundur që dikush të ulet në tryezë dhe të çelë atë agjërimin, ti i merr sevape sikur ta kishe agjëruar në vend të tijin.
Pra është tamam sikur ti ta kishe agjëruar vetëm me këtë lloj gjesti. Ndërsa në fund të Ramazanit pastaj, është edhe obligimi kryesor i përmbylljes së Ramazanit që është edhe dhënia e sadakasë së fitrit që faktikisht është një lëmoshë e cila duhet që të përfitohet në mënyrë të drejtpërdrejtë tek tek ajo shoqëri në nevojë.
Dhe si ndikon agjërimi dhe përkushtimi gjatë këtij muaji në jetën e përditshme të çdo besimtari?
Siç e përmenda, faktikisht jeta e besimtarit gjatë këtij muaji transformohet, sepse tashmë kalojmë nga një rutinë e përditshme në një lloj rutine dhe programimi krejtësisht tjetër.
Dhe agjërimi në mënyrë të drejtpërdrejtë i kultivon, është në një farë mënyre ne e quajmë një shkollë të madhe që kultivon virtytet dhe kultivon moralin tek besimtari. Në një farë mënyre, nganjëherë muaji i Ramazanit duket vetëm si një muaj që besimtarët privohen nga të ngrënit dhe nga të pirit.
Faktikisht kjo është ana më e rëndomtë e këtij muaji. Aspekti ose thelbi kryesor i këtij muaji është pikërisht të lënit me një anë të veseve, të lënit me një anë të thashethemeve, të fjalëve të këqija dhe të sjelljeve jo të dëshiruara dhe gjithmonë në të kërkuar të sjelljes së mirë dhe të virtyteve të larta.
Shikoni, njerëzit gjatë këtij muaji bëhen më solidarë, bëhen më humanë, bëhen më të ndjeshëm ndaj shoqërisë, më të ndjeshëm ndaj të gjithë atyre shtresave në nevojë, bëhen shumë më tolerues, gjithmonë nga gjërat që sugjerohen që të bëhet më tepër, edhe në mesazhin e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në mëngjes theksohej mirë kjo.



