Rreth 7.5 milionë të huaj e vizituan Shqipërinë më 2022, rriten me 40% ikjet e shqiptarëve jashtë
Viti 2022 ka shënuar rritje të ndjeshme të kalimit të kufirit shqiptar. Sipas INSTAt, numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë deri në fund të dhjetorit shkon në 7.543.817, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021.
Bie në sy se qëllimi i udhëtimit të vizitorëve dhe turistëve përveçse janë për pushime, trajtime shëndetësore apo udhëtarë tranzit, janë dhe për qëllime fetare.
Sipas raportit, janë 495 shtetas që janë futur për këtë qëllim, ose 1.4% më shumë se një vit më parë.
Ndërsa gjatë gjithë vitit 2022, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri janë Spanja dhe Anglia, ndërsa Zvicra ka pësuar rritjen më të ulët krahasuar me periudhë të vitit 2021.
Ndërkohë është rritur me 27.9% hyrja e shtetasve nga pikat kufitare tokësore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër rritje ka shënuar edhe numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në 2022, ku sipas INSTAT janë 5.882.007 shtetas, duke u rritur 40,4% krahasuar me vitin e mëparshëm.