DOBËSI NË SISTEMIN E KONTROLLIT/ Vuksani: Përmbushja e standardeve nuk lidhet vetëm me procesin e integrimit
Siguria ushqimore mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, për çka ekspertja Ana Vuksani vlerëson se vendi ynë është ende larg standardeve të tregut të përbashkët europian.
Si tregues të kësaj situate, Vuksani veçon kufizimet që Bashkimi Europian vijon t’u vendosë eksporteve të produkteve ushqimore shqiptare.
Sipas saj, për vendet e Bashkimit Europian, standardet e sigurisë ushqimore janë një prioritet themelor për mbrojtjen e shëndetit publik.
Duke iu referuar helmimit të afro 100 studentëve të Akademisë së Sigurisë brenda rreth 50 ditëve, Vuksani vlerëson se ky rast nxjerr në pah dobësitë e sistemit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së sigurisë ushqimore.
Ekspertja thekson se përmbushja e standardeve europiane nuk lidhet vetëm me procesin e integrimit në BE, por mbi të gjitha me garantimin e ushqimeve të sigurta për qytetarët dhe rritjen e besimit të konsumatorëve te produktet vendase.

