UNICEF: 680 mijë fëmijë në Venezuelë në nevojë urgjente ndihme pas tërmeteve shkatërruese

Rreth 680 mijë fëmijë në Venezuelë kanë nevojë për ndihmë humanitare pas tërmeteve që goditën vendin, sipas UNICEF-it. Situata vjen pas dëmeve të mëdha të shkaktuara në disa rajone dhe në infrastrukturën shëndetësore e arsimore.
Sipas raportimeve, tërmetet kanë dëmtuar spitale në Karakas dhe në shtetet La Guaira, Carabobo, Aragua dhe Falcón, duke i vendosur disa prej tyre në kushte kritike funksionimi. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në kujdesin për gratë shtatzëna dhe fëmijët.
Tre ditë pas nisjes së reagimit emergjent, situata paraqitet më e rënduar, me spitale që funksionojnë përtej kapaciteteve dhe mijëra fëmijë pa qasje të sigurt në ujë të pijshëm. Po ashtu, një numër i madh shkollash është dëmtuar, duke ndikuar në procesin mësimor.
Në Karakas, të dhënat paraprake tregojnë se 432 shkolla janë dëmtuar nga lëkundjet sizmike. Disa prej tyre janë kthyer në strehimore të përkohshme për familjet e zhvendosura.
UNICEF paralajmëron nevojën për ndërhyrje urgjente për sigurimin e ujit të pijshëm, shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjes për fëmijët e prekur nga katastrofa.


