Zbardhet plani për Gazën/ Bordi i Paqes i Trump-it synon imunitet ligjor dhe kontroll mbi pronat publike

Zbardhet plani për Gazën/ Bordi i Paqes i Trump-it synon imunitet

Një draft-rezolutë e siguruar nga media britanike “The Guardian” hedh dritë mbi planin e “Bordit të Paqes” për administrimin e Gazës, duke parashikuar një kuadër të gjerë imuniteti ligjor për strukturën drejtuese, personelin dhe kontraktorët e përfshirë në procesin e rindërtimit dhe sigurisë në territor.

Sipas dokumentit, Bordi i Paqes, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe i lidhur me planin e Donald Trump për Gazën, synon të krijojë një sistem të posaçëm administrimi, ku përfshihen edhe forca ndërkombëtare, teknokratë palestinezë dhe kompani të huaja.

Drafti parashikon që anëtarët e bordit dhe strukturat e tij të jenë të mbrojtura nga arrestimi, ndalimi apo ndjekja ligjore në juridiksionin e Gazës, ndërsa në disa raste mbrojtja shtrihet edhe për kontraktorët dhe forcat ndërkombëtare të angazhuara në terren.

Një tjetër pikë e dokumentit lidhet me mundësinë që Bordi i Paqes të përdorë prona publike në Gaza pa pagesë, për nevoja të operacioneve të tij dhe infrastrukturës mbështetëse.

Po ashtu, parashikohet krijimi i një autoriteti që do të shqyrtojë vetë rastet e dëmeve, përfshirë humbje prone, plagosje apo vdekje që mund të ndodhin gjatë operacioneve në terren.

Dokumenti ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën e llogaridhënies ligjore, pasi nuk përcaktohet qartë se cili institucion do të mbajë përgjegjësi në rast incidentesh, apo si do të zgjidhen mosmarrëveshjet për pronën dhe aktivitetin ekonomik në Gaza.

Në draft përmendet edhe mundësia e krijimit të një force ndërkombëtare që do të mbështesë procesin e çarmatimit dhe sigurisë, si pjesë e planit më të gjerë të rindërtimit.

Sipas dokumentit, disa vende kanë premtuar fonde për projektin, por ende nuk janë nënshkruar kontrata të rëndësishme dhe pjesa më e madhe e financimeve nuk është transferuar.

Zyrtarë të përfshirë në proces kanë mohuar ekzistencën e një kuadri që parashikon pandëshkueshmëri, duke theksuar se çdo strukturë do të funksionojë brenda ligjit dhe me mekanizma mbikëqyrës.

EMISIONET