Rënia e euros, Xhepa: Shteti të ndërhyjë, rritja e lekut e pajustifikuar. Arsyeja të kërkohet tek tregu i pasurive të paluajtshme

E ardhmja e monedhës evropiane euro në vendin tonë, duket se është e paqartë të paktën në këtë moment!

Sa i përket arsyeve të rënies drastike të saj në kursin shqiptar, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa nuk ka asnjë dyshim se ekonomia informale është një ndër arsyet kryesore të kësaj situate.

Për “Ora News” Xhepa theksoi se qeveria dhe autoritetet e tjera përfshirë Bankën e Shqipërisë, mund dhe duhet të ndërhyjnë kur situata po bëhet akoma më e rëndë, pasi ekonomia vendase po cënohet!

Selami Xhepa: “Pa asnjë dyshim që edhe zhvillimet makro-ekonomike që lidhen me fondamentet e ekonomisë, pra me burimet e sigurimit të të ardhurave nga ekonomia formale, sigurisht që kanë pasur zhvillimeve pozitivite, duke iu referuar të ardhurave nga eksportet, emigracioni, apo të ardhurave nga investimet e huaja.

Apo edhe të një pjese që janë kryesisht ri-investime të kryera ndër vite dhe nga kjo pikëpamje efekti i tyre është edhe më modest.

Por sidoqoftë një përmirësim i bilancit ekonomik të Shqipërisë, demonstron se detyrimet ndaj pjesës tjetër të botës janë në rënie.

Çka nënkupton një presion mbi monedhën që është një vlerësim, ose thënë më mirë kjo demonstron zhbërjen e faktorëve të cilat diktojnë një pritshmëri për zhvlerësim të monedhës në të ardhmen.

Por sidoqoftë, në përmasat që ka marrë në kursin e këmbimit unë mendoj se janë të ekzagjeruara, ose të pajustifikuara nga këto fondamente.

Pra, një pjesë e rëndësishme e ofertës së monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja mendoj se i dedikohet kryesisht kanaleve informale dhe zhvillimeve që po ndodhin në disa sektorë (të ekonomisë), kryesisht fjala vjen në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet e banesave apo të pasurive të paluajtshme demonstrojnë qartë që një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti, por jo vetëm, financohet nga para të ardhura në mënyrë jo formale".

Për Xhepën, në kushtet kur vendi është vazhdimisht në stres sa i përket kursit të këmbimit, duhet të ndryshohet valuta.

Ndërkaq, eksperti Selami Xhepa ka edhe një këshillë sa i përket qytetarëve të cilët kanë depozita kursimi në euro, teksa thekson ky nuk është një moment i duhur për të marrë paratë e tyre!

euro isa myzyraj selami xhepa rritja e lekut

EMISIONET