Qeveria pezullon statusin strategjik për resortin në Plazhin e Gjeneralit
Qeveria ka pezulluar përkohësisht statusin e investitorit strategjik për resortin e kompanisë Mediterranean Wave në Plazhin e Gjeneralit, me arsyen se bie ndesh me Planin e Përgjithshëm Vendor të Kavajës.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur që statusi i investitorit strategjik që iu dha këtij subjekti në dhjetor të vitit 2021, të pezullohet derisa kompania të ndryshojë projektin për ta përshtatur atë me treguesit urbanistik të lejuar për zonën.
“Deri në përmbushjen e detyrimeve nga subjekti investues, efektet juridike të Vendimit “Për miratimin e statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin e investimit “Mediterranean Wave” me subjekt aplikues shoqëria “Mediterranean Wave” sh.p.k. pezullohen,” thuhet në vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike.
Në dhjetor të vitit 2021 qeveria i dha kompanisë “Mediterranean Wave” të zotëruar nga biznesmeni Shpëtim Shijaku, statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti me vlerë 50 milionë euro në Plazhin e Gjeneralit.
Vendimi i fali kompanisë 635 mijë metër katrorë tokë shtetërore në Plazhin e Gjeneralit si dhe përmes tij qeveria mori përsipër të ndërtonte të gjithë infrastrukturën, duke përfshirë rrjetin elektrik, atë rrugor dhe kanalizimet.
Projekti i propozuar nga kompania parashikonte ndërtimin e një kompleksi turistik i përbërë nga hotele dhe vila me një sipërfaqe totale ndërtimi prej rreth 200 mijë metrash katrorë. Por pas verifikimeve në terren, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i ka propozuar Komitetit pezullimin e tij për shkak se projekti bie ndesh me planin urbanistik të zonës.
“Subjekti investues “Mediterranean Wave” sh.p.k. të rishikojë dhe të paraqesë një gjurmë të re të ndërtimit të projektit të investimit strategjik “Mediterranean Wave.” Gjurma e re e rishikuar, nuk duhet të shtrihet jashtë gjurmës së miratuar me Vendimin e vitit 2021 dhe nuk duhet të jetë më e madhe se 10 ha,” thuhet në vendimin e fundit të KIS.
Zona ku shtrihet projekti gjendet në fshatin Peqinaj të Kavajës dhe aktualisht është sipërfaqe pyjore në pronësi të shtetit. Në këtë zonë ekziston dhe një monument natyror i kategorisë së parë që quhet Foleza e Bardhorit. Nuk dihet nëse pezullimi i projektit deri në rishikimin e tij ka ndonjë lidhje me këtë monument. Por në vendimin e ri, KIS I ka kërkuar kompanisë që paralelisht me ndryshimin e gjurmës së projekti të paraqesë edhe planin për gjelbërimin e zonës që do të shpyllëzohet.
“Gjurma e re e rishikuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, duhet të paraqitet së bashku me Planin e Gjelbërimit, pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimit, brenda dhe jo më vonë se 30 ditë nga njoftimi i këtij vendimi. Në rast të mosrespektimit të këtij kushti, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë Vendimin Nr.11/9 të datës 2.12.2021 për dhënien e statusit strategjik,” përfundon vendimi.