Porti i Durrësit, KE: Projektet të jenë në përputhje me dispozitat e MSA-së, veçanërisht në prokurimin publik
Komisioni Europian i është përgjigjur letrës së 20 deputetëve të opozitës shqiptare për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.
Në përgjigjen e Komisionerit Oliver Varhely thuhet se vazhdimisht institucioni Europian ka kërkuar që marrëveshja me Emiratet e Bashkuara për Poritin e Durrësit të jetë në përputhje me marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
“Komisioni ka theksuar nevojën për të garantuar që projektet në bazë të marrëveshjes së lidhur në vitin 2020 ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në fushat e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore”, thuhet në përgjigjen e komisionerit.
Komisioni evidenton faktin e tërheqjes së grantit për këtë investim, si dhe diskutimet me qeverinë shqiptare për ta përdorur këtë fond për projekte të tjera.
“Si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor për investimin për këtë projekt specifik. Megjithatë, Komisioni është në diskutime me përfaqësuesit e qeverisë se si të përdoret shuma e kthyer në një tjetër projekt investimi”, thekson Varhelyi në përgjigjen e tij.
Opozita ka kundërshtuar marrëveshjen në fjalë në të cilën sipas saj është shkelur Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, ligji i konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, duke favorizuar haptazi kompaninë Alabar.