Petraq Milo: Niveli i pagës në Shqipëri mbetet më i ulët në rajon
Profesori i Shkencave Ekonomike dhe zyrtari i Partisë së Lirisë, Petraq Milo shprehet se është e papranueshme që niveli i pagës në Shqipëri mbetet më i ulët në rajon.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, u shpreh se në Shqipëri në Tremujorin e III të vitit 2022 sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare bruto është rreth 518 Euro, ndërsa në vendet e rajonit ajo është rreth 70% më e lartë se në vendin tonë.
“Niveli i pagës në Shqipëri mbetet më i ulët në rajon. Diferenca e pagës me vendet e tjera të rajonit po thellohet me shumë në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të instituteve të statistikës të Serbisë, të Malit të Zi, të Bosnjë- Hercogovinës dhe të Maqedonisë së Veriut, paga mesatare bruto e këtyre vëndeve është mesatarisht rreth 70% më e lartë se në Shqipëri.
Në vitin 2022 paga mesatare bruto në Maqedoninë e Veriut është 832 Euro, në Serbi është 836 Euro, në Malin e Zi është 900 Euro dhe në Bosnje-Hercogovine është 936 Euro.
Ndërsa në Shqipëri në Tremujorin e III të vitit 2022 sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare bruto është 61613 lekë ose në rreth 518 Euro”, shprehet zyrtari i Partisë së Lirisë, Petraq Milo.